Këtu në AgroWeb kemi mësuar shumë për të gjitha llojet e bimëve dhe luleve. Kemi mësuar gjithçka për lulet e dashurisë. Tani është koha të mësoni për lulen e turpit. Kështu i thërrasin karrotës së egër në Korçë. Kjo bimë me vendlindje në Evropë gjendet edhe në Shqipëri në fusha e lëndina.

Rrënja e kësaj bime konsumohet duke e gatuar në të njëjtën mënyrë si karrotat. Lulet kanë shije të mirë kur tiganisen. Gjethet janë të ngrënshme si të gjalla ashtu edhe të gatuara. Farat aromatike përdoren për t’u dhënë shije gatimeve të pjekura dhe të sjellin ndërmend agrumet, erëzat apo edhe ndjesinë e pishave.

Karrota e egër, me emrin botanik Daucus Carota, ka vlera të shumta mjekësore. Ajo i jep mbështetje veshkave, parandalon formimin e gurëve në veshka dhe qetëson të gjithë sistemin tretës sidomos në rastet e diaresë dhe tretjes së ngadaltë.

Farat e lules së turpit përdoren për të stimuluar oreksin dhe zbusin ngërçet muskulare. Farat mund të zihen me ujë dhe të pihen, por jo gjatë shtatzanisë sepse funksionojnë si kontraceptivët. Gjethet e karrotës së egër përmbajnë porfirinë, që stimulon mitrën dhe rrjedhimisht nuk duhen përdorur gjatë shtatzanisë sepse nxisin lindjen. Gjethet e freskëta dhe të thata të nxisin edhe prodhimin e hormoneve të seksit, një karakteristikë që i përshtatet ndoshta emrit të lashtë shqiptar “lulja e turpit”, sepse gratë shqiptare e blenin lulen kokëulur dhe ndiheshin të “turpëruara”.

Karrotat që ne konsumojmë sot janë një varietet i butë i asaj të egrës. Vlerat e saj janë të shumta. Përtypja e karrotës pas vakteve i bën mirë gojës. Ajo përmban minerale, stimulon mishrat, pastron dhëmbët dhe parandalon prishjen e dhëmbëve.

Një studim i Universitetit të Harvardit zbuloi se ngrënia e karrotave ul rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe se ngrënia e pesë karrotave në javë ul rrezikun e goditjes në tru tek të moshuarit.

Majtas bimë helmuese e ngjashme, djathtas rrënjët e Karrotës së Egër

Për fat të keq, karrota e egër ka disa varitete helmuese, por ndryshimi në paraqitjen e të dyjave është i dukshëm ndaj ngatërrimi mes tyre është diçka që shmanget. Kurora e luleve të vogla të bardha të karrotës së egër ka në mes një lule të vogël ngjyrë të kuqe ose vjollcë dhe është karakteristike vetëm e varietetit të karrotës së egër.  Kërcenjtë e karrotës së egër janë të ndarë dhe karrota e egër mban aromën karakteristike të karrotës./AgroWeb.org