Çajrat bimorë janë të nevojshëm dhe të domosdoshëm për të rikthyer nivelet e energjisë dhe për të forcuar sistemin imunitar. Ajo që duhet të dini është se stomaku i mirëpret pijet bimore edhe gjatë motit të ngrohtë. Çajrat janë për stomakun njësoj siç janë këpucët për këmbët ose kapelet për kokën. Çajrat janë të dobishën jo vetëm për të rikthyer hidratimin, por edhe për të ruajtur energjinë.

Çajrat bimorë janë shumë të pasur me antioksidantë dhe vitaminë C, që ju ndihmon jo vetëm të forconi sistemin imunitar, por edhe të qëndroni shëndetplotë. Më poshtë do të gjeni listën e çajrave më të mirë bimorë të sugjeruara nga AgroWeb.org.

Çaji i barit të bletës

Ky çaj ekskluziv mundet të mposhtë ndikimin depresiv të rutinës, mërzisë dhe lodhjen e tejzgjatur. Nëse e konsumoni para se të bini në shtrat, atëherë do ta keni më të lehtë për të fjetur dhe do t’ju zërë gjumi më shpejt. Çajin e barit të bletës mund ta konsumoni të ngrohtë në kohë të freskët dhe të ftohtë në verë. Hidhni një fetë limon dhe do t’i jepni një shije më të mirë.

Çaji i trëndafilit të egër

Edhe gjatë motit të ngrohtë, duhet të tregoni shumë kujdes për të mbrojtur lëkurën dhe elasticitetin e saj. Çaji i trëndafilit të egër jo vetëm që ushqen lëkurën, por edhe mbron sistemin imunitar dhe rrit rezistencën ndaj sëmundjeve falë vitaminës C.

Nëse konsumoni një ose dy filxhanë me çaj trëndafili në ditë, do të parandaloni problemet dhe do ta mbroni organizmin nga infeksionet, sidomos ato urinare.

Çaji i xhenxhefilit

Çaji i xhenxhefilit është një nga çajrat bimorë që i vjen në ndihmë sistemit tretës dhe parandalon sëmundjet stinore. Pasi ta keni qëruar xhenxhefilin, prijeni në copa të holla dhe zijeni për 10 minuta. Më pas hidhni një lugë çaji me mjaltë dhe pak lëng limoni.

Çaji i lulerradhiqes

Ky çaj është plot vlera për sistemin tretës. Ai pastron gjakun dhe largon toksinat nga organizmi. Çaji i lulerradhiqes ndihmon në ndalimin e diaresë. AgroWeb ju rekomandon të konsumoni një filxhan me çaj lulerradhiqe në ditë.

Çaji i koprës

Çaji i koprës është tepër i famshëm në mjekësinë popullore. Ai ka vlera në trajtimin e problemeve me tretjen, stomakun dhe temperaturën. Çaji i koprës mundet t’ju ndihmojë të humbisni peshë më shpejt. Ndaj me të drejtë çaji i koprës është një nga çajrat më të preferuar bimorë mes femrave.

Çaji i rubinit të kuq

Çaji i bimës mjekësore të njohur si rubini i kuq përdoret gjërësisht në botë. Konsumohet i ngrohtë dhe i ftohtë dhe zakonisht përgatitet bashkë me xhenxhefilin. Nëse ju pëlqejnë pijet e athta, atëherë ky çaj do ju pëlqejë. Ai është i pasur me vitaminën C, ul kolesterolin dhe parandalon problemet me tensionin e gjakut.

Çaji i hithrës

Hithra rritet gjerësisht në Shqipëri, madje në disa vende arrin deri në një metër gjatësi. Hithra është një nga bimët më të përdorura në mjekësi dhe kozmetikë. Vlerat e panumërta të hithrës e bëjnë atë të dobishme për ta bërë trupin më rezistent ndaj uljeve të imunitetit.

Çaji i kamomilit

Çaji përdoret për të kapërcyer problemet me gjumin, por jo vetëm kaq. Ky çaj është i pasur me fosfor, rrjedhimisht i bën mirë kockave. Ai përdoret edhe për të trajtuar një sërë problemesh mendore dhe për të luftuar tumoret falë përmbajtjes së lartë të antioksidantëve.

Çaji i mentes dhe nenxhikut

Çaji i mentes përdoret gjatë gjithë vitit së bashku me vajrat esencialë. Këtë çaj mund ta përdorni nëse vuani nga hundët e bllokuara. Përpara se ta pini çajin, nuhasni aromën e fortë të mentes dhe do të mund të merrni frymë lirisht. Ju mund të përdorni mente ose nenexhik, të njomë ose të thatë.

Çaji i pupëzës
Pupëza ose rudbekia e kuqe është një nga bimët mjekësore më popullore dhe aftësitë e saj për të trajtuar një sërë sëmundjesh janë të njohura në mbarë botën. Çaji i pupëzës përdoret specifikisht për të trajtuar infeksionet dhe virozat./AgroWeb.org