Popaji ishte një nga personazhët më të dashur dhe më frymëzues në fëmijërinë e shumë prej nesh. Ai na mësonte se spinaqi të bën të fortë. Kur u rritëm mësuam se spinaqi kishte dhunti më të shumta se aq. Spinaqi është një burim i pasur i klorofilit dhe antioksidantëve, vitaminave A, C, E, K, B2, dhe B6, magnezit, manganit, folatit, hekurit, kalciumit, kaliumit, acidit folik, fosforit, zinkut, niacinës, selenit, acideve yndyrore Omega-3 e kështu me rradhë.

Ky kombinim i zgjeruar vitaminash dhe mineralesh e bën spinaqin një nga aleatët më të fortë të shëndetit tonë. Studimet kanë treguar se kjo barishte popullore ka jashtëzakonisht shumë vlera shëndetësore, përveç faktit që është shumë e shijshme.

Pluhuri i spinaqit të thatë, është një përbërës me cilësi të shumta që duhet mbajtur në kuzhinë dhe që garanton receta të parezistueshme, jo vetëm në aspekt shijesh, por edhe vlerash.

Spinaqi pluhur mund të përdoret për të zëvëndësuar miellin në përgatitjen e bukës apo prodhimeve të tjera të brumit. Mjafton të zëvëndësoni ¼ e filxhanit me miell me spinaq pluhur. Në këtë mënyrë do të shtyni edhe fëmijët tuaj të përfitojnë vlerat e spinaqit, nëse ata nuk e hanë dot.

Spinaqi i thatë ka një shije karakteristike që kombinohet mirë me një larmi ushqimesh dhe mposhtet lehtësisht nga aromat e ushqimeve të tjera. Për shembull, ju mund të përdorni spinaqin e thatë në një lëng të plotë frutash pa ndikuar në ëmbëlsinë e frutave por duke rritur nivelin e vlerave ushqimore.

Spinaqi i thatë shijon shumë me vezët, produktet e brumit, omletat e shumë të tjera. Spinaqin e thatë mund ta përdorni në supa, panine, sallata, pasta, salca, bukë, apo kek.

Një super ushqim që gjendet lehtësisht

Nëse jeni dashamirës të spinaqit, atëherë varianti i thatë, ose siç njihet ndryshe i dehidratuar është një zgjidhje e shkëlqyer. Procesi i tharjes së spinaqit është i tillë që ruan vlerat dhe shijen e spinaqit duke e bërë atë të shëndetshëm, të sigurt dhe superior, jo vetëm në shije por edhe në cilësi.

Si ta thani spinaqin dhe të bëni spinaq krokant në furrë

Ju nevojiten:

Gjethe spinaqi të lara e të thara
Vaj ulliri ekstra të virgjër
Kripë dhe piper të zi

Ngroheni furrën në 100 gradë. Vendoseni spinaqin në një enë të gjerë dhe përziejeni me vajin e ullirit. Kini parasysh që një lugë çaji me vaj ulliri mjafton. Më pas merrni një fletë alumini dhe vendosini gjethet një e nga një. Hidhni sipër tyre kripë e piper dhe piqini për 15-30 minuta ose më gjatë deri sa gjethet të jenë krokante.

Lërini të ftohen dhe më pas shijojini. Me gjasë do të dëshironi të bëni më shumë spinaq të thatë sepse do të habiteni nga mënyra se si ato shkrihen në gojë. Nëse dëshironi të bëni spinaq pluhur atëherë ndiqni të njëjta udhëzime, por gjethet e thara futini në mikser deri sa të bëhen pluhur. Jetëgjatësia e pluhurit është 6-7 muaj./AgroWeb.org