Autoritetet Greke kanë bllokuar një ngarkesë me kikirikë nga Kina, e cila përmban rekordin historik të aflatoksinës.

Më 27 Janar 2017, Inspektoriati Shtetëror i Kontrollit të Cilësisë së Produkteve të Greqisë ka njoftuar të gjitha vendet e Bashkimit Evropian se ngarkesa me kikirikë përmbantë 20 herë më shumë aflatoksinë se sa norma e lejuar në BE.

Ngarkesa kineze me kikirikë të rrezikshëm ka mbërritur në portet Greke në datën 10 Janar 2017 dhe pas konfirmimit të analizave, zyrtarët greke kanë urdhëruar sekuestrimin e sasisë së kikirikëve. Kontrollo në fund të lajmit për njoftimin zyrtar.

Greqia njofton se bëhet fjalë për kikirikë të paqëruar dhe sipas burimeve të AgroWeb.org konfirmohet se prania e aflatoksinës është 271 mikrogramë për kilogram, ndërkohë që norma mesatare e vendeve të Bashkimit Evropian toleron nivele aflatoksine nga 9 - 11 mikrogramë për kilogram.

Aktualisht sipas Autoritetit të Kontrollit të Ushqimit të Shqipërisë, të kontaktuar nga AgroWeb.org, norma maksimale e lejuar e aflatoksinës nuk duhet të kalojë 15 mikrogramë për kilogram.

Zyrtarët Grekë bëjnë me dije se sasia e sekuestruar në 27 Janar 2017 me kikirikë kinezë përmban nivele të panjohura më parë të aflatoksinës në vendet e Bashkimit Evropian.

AgroWeb.org këshillon konsumatorët shqiptarët të bëjnë tepër kujdes, sidomos me kikirikët e paqëruar, si edhe u rekomandon kompanive importuese të këtij produkti të verifikojnë çertifikatat shëndetësore të mallit nëse origjina është nga Kina.

Aflatoksina, në të vërtetë është një grup përbërësish toksikë që prodhohet nga myku në ushqim. Sipas burimeve të AgroWeb.org, ajo shkakton dëme në mëlçi dhe kancer. Kjo nuk është hera e parë që ngarkesat me ushqime që vijnë nga Kina janë të ndotura me aflatoksinë, gjë që nxjerr në pah cilësinë e dobët dhe standardet e rrezikshme që aplikohen në magazinimin e produkteve ushqimore./AgroWeb.org