Farat e kungullit janë padyshim të vetmet fara që formojnë alkalinë dhe në kohët e sotme, kur ushqimet janë gjithnjë e më të pasura me aciditet, ky është një lajm shumë i mirë për ata që duan të ruajnë ekuilibrat e pehazhit në trup.

Farat e kungullit kanë një shijë të shkëlqyer sa që kanë gjetur një vend të pazëvëndësueshëm në shumë receta. Ato janë ideale, jo vetëm sepse përmbajnë yndyrna dhe fibra, por edhe mbajnë zemrën të shëndetshme dhe ulin enjtjet. Farat e kungullit janë një metodë fantastike për përfitimin e vitaminës E e cila konsiderohet të jetë një antioksidant i fortë.

Vlerat shëndetësore të farave të kungullit

Studime të fundit tregojnë se farat e kungullit që janë të pasura me acide yndyrore omega-3 e mbajnë zemrën të shëndetshme duke ulur tensionin e gjakut. Këto fara ulin nivelin e kolesterolit, rreziqet e shfaqjes së diabetit, peshën e tepërt, përmirësojnë humorin dhe luftojnë kancerin. Më poshtë do të gjeni të detajuara mënyrat se si farat e kungullit ndihmojnë në mbrojtjen e shëndetit tonë të përgjithshëm.

Parandalojnë osteoporozën
Njerëzit që vuajnë nga pamjaftueshmëria e zinkut duhet të marrin në konsideratë konsumimin e farave të kungullit. Metodat për përftimin e zinkut, një mineral i nevojshëm për kockat janë të shumta. Në një një çerek filxhani me fara kungulli ju do të përftoni 17% të dozës së rekomanduar ditore të zinkut.

Kundër artritit
Të tjera studime për farat e kungullit kanë treguar se ato luftojnë inflamacionin në të njëjtën mënyrë si medikamentet farmaceutike kundër artritit.

Ulin kolesterolin dhe mbajnë zemrën të shëndetshme


Farat e kungullit përmbajnë fitosterolë dhe arrijnë të përmirësojnë nivelet e kolesterolit të mirë. Studimet mbi këtë subjekt kanë provuar se fitosterolët arrijnë të ulin kolesterolin e keq me 13% dhe kolesterolin në përgjithësi me 10%. Një studim i vitit 2011 sugjeroi që konsumi ditor i ushqimeve të pasura me fitosterolë përbën një metodë natyrale për uljen e niveleve të kolesterolit dhe rreziqeve të sëmundjeve kardiovaskulare.

Largojnë parazitët e sistemit tretës 
Farat e kungullit, bashkë me qepët dhe qumështin përbëjnë një kurë natyrale për të trajtuar problemin e parazitëve intestinalë. Mjaftojnë tre lugë gjelle me fara kungulli, një qepë e gjysmë dhe një gotë e gjysmë me qumësht bashkë me një lugë çaji me mjaltë dhe keni përftuar kurën magjike kundër parazitëve. Kjo kurë është e sigurt edhe për fëmijët dhe për femrat shtatzënë. Ajo duhet konsumuar tre herë në ditë për tre ditë rrjesht.

Parandalon formimin e gurëve në veshka
Farat e kungullit përmbajnë substance që jo vetëm parandalojnë por edhe luftojnë gurët në veshka. Rekomandohet të konsumoni 5 deri në 10 gramë me fara kungulli në ditë për të mbrojtur veshkat dhe parandaluar formimin e gurëve.

Largojnë depresionin dhe ulin ankthin
Farat e kungullit janë ideale jo vetëm për trupin por edhe për trurin. Studimet kanë treguar që farat e kungullit bashkë me glukozën janë të mira për të ulur ankthin dhe çrregullimet e shkaktuar si pasojë e depresionit.

Duhet të kini parasysh që proçesi i gatimit shkatërron avantazhet ushqimore të farave të kungullit dhe acidet yndyrore aq të nevojshme. Mënyra më e mirë për të përfituar prej tyre është t’i përdorni në sallata ose t’i konsumoni veçmas./AgroWeb.org