500 vende të reja pune. Tregu më i madh Agro Ushqimor në zonë me një vlerë prej 2.2 Milion euro. Standarde nga më të lartat Evropiane. 100 subjekte agrobiznesi që operojnë brenda tregut. Me synimin; 100 përqind të energjisë nga panelet diellore, investim prej 1.9 Milion dollarë amerikanë dhe një qendër grumbullimi të dedikuar për eksporte me një vlerë 0.9 Milion dollarë amerikanë.

Nuk është një premtim elektoral. Nuk është as një ëndërr me sy hapur. Është një vizion i shndërruar me mjeshtëri në realitet. Tregu i parë modern agro-ushqimor me standarde evropiane në Shqipëri.

Është vizioni i një njeriu shumë punëtor, Petrit Çela, me një eksperiencë 24 vjeçare në tregti. Tre vite më parë ai kishte një ëndërr; të ndërtonte tregun më të madh agro-ushqimor, ndryshe nga çdo treg tjetër në Elbasan. Sot ky treg është aty, e fuksionon me kapacitet të plotë.

Suksesi nuk është aksidental - Është punë e palodhur

Është ora 7.30 e mëngjesit. Për shumicën e njerëzve është pothuajse fillimi i ditës së punës. Për Petritin është pothuajse fundi i saj. Çdo ditë, në orën 3 të mëngjesit ai duhet të jetë prezent dhe i freskët në treg, ndërkohë që ai tejmbushet me rreth 1 mijë fermerë në ditë, të cilët furnizojnë me fruta dhe perime të sapovjela tregtarët, të cilët i shesin më pas në tregjet e Elbasanit madje edhe të Tiranës.

Sot ai ka disa miq të veçantë. Për të përmbushur ëndrrën e tij, Petriti u mbështet në asistencën e dy projekteve të USAID-it, AgroKapital dhe së fundmi SmartCapital, të dy projekte të zbatuara nga organizata CBS. Dr.Catherine Johnson, Drejtore e Misionit të USAID/Shqipëri dhe Dennis Wesner, Zyrtar përgjegjës për Programet e Zhvillimit në USAID/Shqipëri, së bashku me përfaqësues të organizatës CBS janë në mjediset e investimit.

100 subjekte agrobiznesi operojnë brenda Tregut Agro Ushqimor Elbasan ku janë të punësuar rreth 500 persona. Foto: Ina Kosta/AgroWeb

Petrit Çela është fitues i dy granteve kombëtare prej 150 mijë dollarë amerikanë, përmes asistencës teknike dhënë nga projekti AgroKapital. Mbështetje ka pasur edhe përmes sistemit të kredive LORES për të arritur përmes granteve dhe kredive vlerën prej 600 mijë dollarë amerikanë të investimit. Përmes kësaj mbështetjeje, zoti Çela jo vetëm ndërtoi një treg modern agro-ushqimor në Elbasan me 500 njerëz të punësuar, por arriti të marrë gjithashtu çertifikimin ISO 22 000 në kuadër të programit rajonal të USAID B-REDI. Tregu Agro Ushqimor i Elbasanit është i vetmi treg në Shqipëri, që ka një çertifikim të tillë për standardet e sigurisë ushqimore.

Z. Çela, pronar i Tregut Agro Ushqimor në Elbasan ka në plan të instalojë një sistem të paneleve diellore që të mbulojë plotësisht shpenzimet e energjisë elektrike të të gjithë objektit. Foto: AgroWeb

Duke përgëzuar zotin Çela për gjithë këtë punë të madhe të bërë, zonja Johnson theksoi se ky është një investim i jashtëzakonshëm.”Kjo punë dhe ky vizion fantastik janë historia e suksesit që ne dëshirojmë për agrobizneset shqiptare. Është pikërisht ajo që ne duam për bujqësinë shqiptare. Agrobiznese me standarde të larta të cilësisë, me kaq shumë njerëz të punësuar dhe me kaq shumë fruta e perime të freskëta dhe cilësore”, Dr Johnson theksoi.

Z. Çela, me entuziazmin që i lexohet dukshëm në sy, si një njeri punëtor që i njeh mirë sfidat që ky investim kërkon, di të vlerësojë fjalët e mira dhe inkurajuese. Por ai është edhe mirënjohës dhe e shfaq.

"Këtë investim e kam pasur ëndërr të madhe. Projekti AgroKapital më ndihmoi për të realizuar ëndrrën time, duke më dhënë shumë mbështetje, duke më ndihmuar në përgatitjen e të gjitha dokumentave për grante dhe kredi. Unë nuk dija pothuajse asgjë mbi dokumentacionin dhe nuk ia kisha idenë procedurave. Dhe jam shumë mirënjohës për mbështetjen e dhënë nga projekti i USAID-it dhe CBS ", pohon Z. Cela me krenari për atë që ka bërë këto tre vite.

Dr Johnson zbulon edhe një fakt mjaft interesant. Ajo është eksperte nutricioniste dhe ka një interes të veçantë për cilësinë e produkteve. Dhe çfarë është më e rëndësishme, ajo vlerëson frutat dhe perimet shqiptare si produkte me shumë vlera.

"Ju keni fruta dhe perime të freskëta dhe shumë cilësore në Shqipëri, pa kimikate, shumë të shijshme dhe me vlera të mëdha ushqimore", shpjegon Dr Johnson, duke i dhënë Petrit një këshillë; të ketë më shumë erëza dhe bimë në vazo për t’u shitur nga fermerët në tregun e tij, në mënyrë që njerëzit të mund t’i blejnë dhe t’i kenë ato në shtëpitë e tyre.

 Nga e majta në të djathtë - Z.Ilir Pilku, Drejtor i Zhvillimit të Agrobiznesit në CBS, z.Petrit Çela, pronar i Tregut  Agro Ushqimor në Elbasan, Dr.Catherine Johnson, Drejtore e Misionit të USAID/Shqipëri, z.Enio Jaço Drejtor Ekzekutiv i CBS dhe z.Dennis Wesner, Zyrtar përgjegjës për Programet e Zhvillimit në USAID/Shqipëri në mjediset e tregut Agro Ushqimor Elbasan. Foto; Ina Kosta/AgroWeb

Të kesh vizion të mençur për të ardhmen

Tregu është një investim i madh, por për Petritin nuk është kurrë mjaftueshëm. Ai ka në plan të përmirësojë dhe të rrisë biznesin e tij përmes dy investimeve të reja shumë të rëndësishme – me vlerë totale të kombinuar prej 2.8 Milion dollarë amerikanë. Së pari, ai ka në plan të instalojë një sistem të paneleve diellore që të mbulojë plotësisht shpenzimet e energjisë elektrike të të gjithë objektit, si dhe energjinë e konsumuar nga të 56 njësitë e tregtimit brenda Tregut Agro Ushqimor.

Investimi ka një vlerë prej 1.9 Milion dollarë amerikanë. Së dyti, ai ka në plan të zgjerojë investimin me një Qendër grumbullimi të fruta-perimeve të destinuara për eksport me vlerë 0.9 Milion dollarë amerikanë.

Petriti përsëri do të këtë mbështetjen e projektit SmartCapital me një Plan Biznesi të dedikuar dhe lehtësim të financimit. Vlera e investimit do të mundësohet përmes Granteve IPARD 2 (grantet e BE-së dhe Qeverisë shqiptare), grante të cilat i japin prioritet investimeve në energjinë e rinovueshme.

Këto investime pritet të jenë edhe me më shumë kosto efektive në të ardhmen. Parlamenti sapo ka miratuar ligjin e ri për energjinë e rinovueshme. Pra drita jeshile është ndezur. Petriti di se ç’duhet bërë.

Me vizitën e përfaqësuesve të USAID-it, ai do të përfundojë pjesën e parë të ngarkuar të ditës së tij për sot. Nesër ai do të zgjohet përsëri në orën 3 të mëngjesit. Dhe do të bëjë atë që di më së miri; të ketë ëndrra të mëdha dhe të veprojë mençurisht./AgroWeb.org