Shtrydhja e dardhave është një proces nga i cili mund të përfitoni shumë minerale, vitamina dhe vlera të tjera. Në nivel ushqyesish, një gotë me lëng dardhe është e ngjashme me një dardhë të plotë. Çdo gotë me lëng dardhe përmban më shumë se një racion dardhash të plota, ndaj shtrydhja ofron më shumë vitamina dhe minerale në krahasim me dardhat kokërr.

Lëngu i dardhës luan një rol të rëndësishëm në tretje. Një gotë e vetme plotëson 18% të nevojës ditore për fibër, rrjedhimisht duke garantuar shëndetin e sistemit tretës dhe funksionet e tij. Lëngjet e tjera të frutave kanë nivel të lartë sheqeri natyral. Dardha konsiderohet si një nga frutat me më pak kalori. Një gotë mesatare me lëng dardhe përmban vetëm 58 kalori.

Ushqyesit që gjenden në këtë gotë do t’ju bëjnë të ndiheni të ngopur. Kjo karakteristikë e bën lëngun e dardhës të nevojshëm për njerëzit që duan të humbin peshë. Ky frut jep shumë energji dhe përmban shumë ushqyes që kanë pak ndikim në peshën tuaj.

Lëngu i dardhës i bën mirë kockave dhe qarkullimit të gjakut

Lëngu i dardhës do të rrisë dozat e vitaminës K, e cila ndihmon në ruajtjen e shëndetit të kockave me kalimin e moshës. Kjo vitaminë ul rreziqet e formimit të frakturave të kockave dhe osteoporozës. Ajo ndihmon në mpiksjen e gjakut dhe parandalimin e humbjes së tij gjatë lëndimeve ose plagëve.

Një gotë me lëng dardhe përmban përafërsisht 13.3 mikrogramë vitaminë K. Një dardhë e plotë nga ana tjetër përmban vetëm 7.2 mikrogramë të vitaminës K.

Forcon sistemin imunitar

Përmbajtja e vitaminës C ndihmon organizmin të prodhojë më shumë qeliza të bardha, të cilat luftojnë infeksionin. Kjo vitaminë ndihmon në ndërtimin e enëve të forta të gjakut që këto qeliza të rrugëtojnë lirishit në çdo anë të organizmit.

Një gotë me lëng dardhe përmban 12.4 miligramë të vitaminës C në krahasim me 7 miligramë që gjenden tek dardha e plotë. Vitamina C në një gotë me lëng është e barazvlefshme me 17% të dozës së rekomanduar për femrat dhe 14% për meshkujt.

Lëkura dhe flokët

Flokët dhe lëkura e shëndetshme janë në varësi të bakrit që ju merrni çdo ditë. Lëngu i dardhës është një burim i mirë i bakrit, një mineral që është pjesë përbërëse e melaninës, pigmenti i cili i jep lëkurës dhe flokëve ngjyrën përkatëse dhe që i mbron ato nga dielli.

Ky mineral ushqen sistemin nervor dhe ndihmon funksionet e nervave. Një gotë me lëng dardhë ofron 243 nga 900 mikrogramë bakër që ju nevojiten në ditë ose më shumë se 132 mikrogramë bakër që gjenden tek dardha e plotë.

Shtrydhja e dardhës

Shija e dardhës kombinohet mirë me shije të tjera të frutave ose perimeve. Dardhën mund ta kombinoni me spinaqin ose rukolën dhe nëpërmjet tyre do të merrni shumë ushqyes dhe vitaminat K dhe A, por gjithashtu do të provoni një shije të mirë që do të zgjasë gjithë ditën./AgroWeb.org