Është një nga erëzat më të shtrenjta në botë, por edhe kultivimi i saj ka kosto jo të vogël. Bëhet fjalë për shafranin, bimë e cila ka nisur të kultivohet në Shqipëri edhe pse në sasi të vogla, në fazë gati eksperimentale.

Prodhimi më i ri i kësaj bime, po bëhet nga një sipërmarrje shqiptaro-italiane dhe kultivohet në Dëshiran të Belshit në një sipërfaqë prej 3 dynym.

Ari i kuq, siç i thonë ndryshe shafranit falë vetive të çmuara të tij, kërkon vëmendje, kujdes dhe tokë të përzgjedhur. Kultivimi kërkon aplikim të standardeve më të larta ndërkombëtare dhe çertifikim.

Shafrani kultivohet prej vitesh në Kosovë. Ngjyra e kuqe, aroma unike dhe shija pikante e bëjnë shafranin si asnjë erëz tjetër. Një erëz që përdoret edhe në industrinë farmaceutike dhe konsiderohet mbreti i medikamenteve dhe i erëzave.

Sipas ekspertëve, kultivimi i Shafranit në Kosovë ka nisur tashmë të jetë një biznes solid. Madje ata këshillojnë që, për arsye të mungesës së një tregu të madh shitjeje, nuk është fort me leverdi që shafrani të mbillet gjerësisht edhe në Shqipëri.

Eksperti amerikan i bimëve medicinale Peter Furth, i pyetur nga AgroWeb.org theksoi se shafrani në Shqipëri nuk i ka kushtet ekonomike shumë të favorshme. Fakti që ai kultivohet gjerësisht në Kosovë, e bën shafranin një bimë që nuk do të tregëtohet dhe eksportohet lehtësisht edhe nga Shqipëria. Së dyti, Shqipëria ka shumë bimë të tjera unike, që vlen të kultivohen për një përfitim më të madh ekonomik, thonë specialistët për AgroWeb.org

Duhet pasur parasysh edhe fakti që fqinji ynë Greqia, është prodhuesi i dytë kryesor i Shafranit në botë me rreth 6 ton në vit. Kjo e bën edhe më të vështirë konkurencën e Shqipërisë në tregun e shafranit.

Ali Avdiu, një prej kultivuesve të shafranit në Prishtinë që nga viti 2011, thotë për median se kultivimi i kësaj bime ka një kosto të lartë, një farë (bulb) kushton 10-12 cent dhe për një hektar nevojiten 500,000 bulba, pra kostoja për një hektar shkon deri në 50,000 euro.

Òªmimi i shitjes për një gram shafran në treg është 8-12 euro, ndërsa çmimi për kilogram është 3000-5000 euro. Por duke pasur parasysh koston e blerjes së bulbave dhe kujdesin gjatë procesit të prodhimit, është një fitim jo pa kosto.

Shafrani me emrin botanik Crocus sativus, merret nga bima e familjes Iridaceae, e cila ka një sezon të shkurtër lulëzimi, vetëm tre javë në vit. Pjesa shëruese e shafranit janë stigmat që përmbajnë safranal dhe fitokimikate të shumta si krocina, pikrokrocina, likopena, karotenoidet dhe alkaloidet. Shafrani është ilaç natyral për depresion dhe ndihmon edhe në zbutjen e sëmundjes si Alzheimeri.

Nga vitaminat, shafrani në sasi të konsiderueshme përmban vitaminë C, tiaminë, riboflavinë, niacinë, acid folik dhe vitaminë B6.

Për 0.5 kg të erëzës është e nevojshme të merren rreth 75.000 lule dhe me dore të hiqen pistilat me shtypës, ndërsa për shkak të mënyrës së shtrenjtë të prodhimit, përdoret më rrallë për qëllime mjekësore.

Shafrani preferon tokat me përbërje të lehtë me pak argjilë dhe me drenazh shumë të mirë, e pasur me materie organike. Në lulëzimin e shafranit ka ndikim shumë të madh temperatura. Shafranit i pëlqen shumë klima mesdhetare kontinentale, ku dimrat janë jo shumë të ftohtë, kurse verat e nxehta e të thata dhe lagështi të pakët

Mbjellja bëhet prej muajit maj deri në muajin shtator. Megjithatë mbjellja më e zakonshme bëhet në pjesën e dytë të muajit qershor dhe në pjesën e parë të muajit shtator.

Uji për ujitje duhet të jetë cilësor, mos të ketë mbeturina dhe produkte kimike. Vjelja e shafranit bëhet çdo ditë dhe vilet me dorë.

Tharja është faza kryesore e nxjerrjes së shafranit. Ekzistojnë metoda të shumta për tharjen e shafranit, elementet kryesore të të cilit janë: koha, temperatura e tharjes dhe aparatet e përdorura.

Konsumimi i shafranit preferohet për të gjithë njerëzit, por në sasi të vogla. Këshillohet të mos konsumohet më shumë se 0.2 gram në ditë./AgroWeb.org