Shoqëritë e kursim kreditit kanë rritur ndjeshëm kreditimin në zonat rurale gjatë vitit 2016. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vitin e shkuar kreditimi arriti në 5.5 miliardë lekë, me një rritje prej 14.3 përqind në krahasim me vitin 2015. Depozitat e këtij sektori u rritën me 30 përqind duke plotësuar me 88% nevojat e kreditimit.

Sipas Bankës Qendrore, shoqëritë e kursim kreditit janë faktor i rëndësishëm për ekonominë, sidomos në zonat rurale.

Ndërkohë, edhe bankat rritën kredinë konsumatore në vitin 2016. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kredia konsumatore u rrit me 12% duke qëndruar në 39 miliardë lekë ose 285 milionë euro, pa përfshirë overdraftet.

Bankat e nivelit të dytë janë përqendruar në rritjen e kreditimit për individë, duke qenë më pak të ekspozuar ndaj rrezikut kreditor. Kreditimi për vitin 2016, ka qenë në rritje kryesisht për klientët pagamarrës, ndërkohë që kërkesa për kredi ka qenë në rritje.

Fitimi i bankave të nivelit të dytë në Shqipëri ra me 41 përqind në vitin 2016, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë. Statistikat tremujore të Bankës Qendrore tregojnë se fitimi neto i sistemit bankar për vitin 2016 arriti në 9.27 miliardë lek ose rreth 67 milionë Euro.

Të dhënat tregojnë se fitimi i sektorit bankar ka pësuar një rënie prej 41% në krahasim me vitin 2015.

Sipas Bankës së Shqipërisë, rënia e fitimit neto të bankave në Shqipëri ka ardhur si pasojë e rritjes së shpenzimeve për të mbuluar huatë e pakthyera dhe rënies së vazhdueshme të të ardhurave nga interesat.

Në fund të vitit 2015, kreditë e këqija u ulën në 18.22% të totalit të portofolit të kredive por në vitin 2016, ato përjetuan një tjetër trend rritës dhe në Gusht të vitit 2016, kulmuan në 21.44% të huasë.

Gjatë vitit të shkuar, bankat e nivelit të dytë ndërmorrën hapa të shumtë për uljen e kredive të këqija duke fshirë huatë e pakthyera për të paktën 3 vjet nga bilanci. Ky proces çoi në uljen e nivelit të kredive të këqija në 18.3% në fund të vitit 2016.

Ekspertët bankarë i thanë AgroWeb.org se fitimi bankar i vitit të shkuar nuk është në nivele të kënaqshme, duke marrë në konsideratë që për vitin 2016, norma e kthyeshmërisë ndaj kapitalit u llogarit në 6.6% nga 15% që duhet të jetë mesatarisht./AgroWeb.org