Ka ardhur koha për krijimin e një dokumenti integral, për sa i përket cilësisë dhe sigurisë ushqimore të produkteve shqiptare. Domosdoshmërinë e një kodeksi ushqimor e shprehu Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, i pranishëm në mbledhjen e Bordit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

Për Ministrin Panariti, krijimi i Kodeksit Ushqimor shqiptar, është faktor i rëndësishëm në rritjen e sigurisë ushqimore në vend dhe një pikë reference për të gjithë aktorët e sektorit ushqimor.

‘Kodeksi ushqimor’ është ligjshmëria qe përcakton normat e prodhimit dhe te tregtimit te produkteve ushqimore, për mbrojtjen e konsumatorit dhe sigurimin e një konkurrence te ndershme te tregut.

‘Duke qenë se jemi ende në fazë tranzitore dhe ende nuk jemi të gatshëm për të adoptuar të gjitha standardet e BE-së, në fushën e sigurisë ushqimore, u shpreh Panariti, mund t’i referohemi standardeve të FAO, e cila do të shërbente si referencë tranzitore’, tha Panariti.

Ndërsa Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Dritan Sejko vuri në dukje se krijimi i një kodeksi ushqimor kombëtar është një nga kushtet në fushën e sigurisë ushqimore për integrimin në Bashkimin Europian, thekson agjensia e lajmeve ATSH.

Vitin e kaluar Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Edmond Panariti, prezantoi platformën për Bursën e parë Bujqësore në vend, si një platformë e balancuar e çmimeve mbi bazën e ankandeve.

Kreu i Ministrisë së Bujqësisë, gjatë prezantimit tha se ‘Kjo platformë mbron edhe konsumatorin, duke pasur të qartë çmimin qe tek prodhuesi e grumbulluesi’.

Sipas ekspertëve, ngritja e bursës së parë bujqësore në vendin tonë do të shënojë një hap të transformimit të madh të bujqësisë shqiptare dhe një zhvillim pioner në tregun financiar shqiptar, që i përgjigjet zhvillimit të vrullshëm bujqësor.

Bursa do t’ju vijë në ndihmë fermerëve duke i orientuar ata në çmimet e shitjes, blerjes dhe eksportet, për të parandaluar spekulimet. Ndërsa do të luaj në përcaktimin e importeve shqiptare bujqësore./AgroWeb.org