Brokoli është një perime që rritet mirë gjatë periudhave të freskëta të vitit. Prodhimtaria e brokolit vërehet dy herë në vit, në pranverë dhe në vjeshtë, në pjesën më të madhe të vendit. Brokoli i përket familjes së kultivarëve Brassica oleracea, që përfshin lakrën, lakrën e vogël, lulelakrën dhe barishte të tjera.

Formimi i tufëzave të brokolit në qendër të bimës shënon momentin kur ju duhet të përkujdeseni rregullisht për rritjen e saj. Brokoli mblidhet kur sythet e lules janë akoma të mbyllura. Kur petalet e lules së brokolit nisin të marrin nuancë të verdhë, atëherë prijeni brokolin nga kërcelli menjëherë, pavarësisht madhësisë, pasi ky është momenti i fundit për të përfituar perimen e brokolit. Nëse lulet çelin, atëherë lakra e brokolit do të shpërhapet dhe perimja nuk do ta ketë formën e saj tradicionale.

Shpesh ndodh që bima futet në periudhën e lulëzimit më herët se zakonisht. Kjo vjen për shkak të mangësive në ujitje dhe përkujdesje. Në rastin e brokolit, një perime që dashuron freskinë, lulëzimi i hershëm nënkupton se bima është mbajtur në temperatura të ngrohta. Në vendet me klimë të ngrohtë, farat e brokolit mbillen në vjeshtë, në mënyrë që të çelin gjatë dimrit ose në fillim të pranverës.

Mënyra më e mirë për të parandaluar çeljen e luleve të brokolit është të ruani temperaturën në tokën e mbjellë. Nëse e mbillni brokolin në mot të ngrohtë, atëherë sigurohuni ta ujisni në mënyrë të përsëritur. Uji i ftohtë do ta ruajë temperaturën e tokës dhe do të ndalojë lulëzimin e parakohshëm të bimës.

Lulet ngjyrëverdhë të brokolit janë të ngrënshme dhe të shijshme. Ato mund të hahen të freskëta ose të gatuara. Këto lule përdoren jo vetëm për garniturë por edhe përfshihen në sallatë falë vlerave të tyre ushqimore. Lulet e çelura plotësisht të brokolit do të fishken gjatë zierjes, por lulet pjesërisht të çelura e ruajnë formën e tyre. Aroma dhe shija e këtyre luleve është goxha e kënaqshme dhe e kërkuar, madje në shumë tregje, ato shiten në sektorin e barishteve të veçanta dhe delikate.

Kultivarët më të përhapur të brokolit janë tre. Kultivari më i përdorur është ai Kalabrez që ka marrë emrin nga Kalabria e Italisë. Tufat e tij janë të mëdha dhe kërcenjtë të trashë. Ky kultivar prodhohet në temperaturë të ftohtë. Kultivari i dytë është ai me tufëza të shumta e të vogla dhe me shumë kërcenj të hollë. Lulelakra ngjyrë vjollcë është një nënkultivar i brokolit që ka tufëza shumë më të vogla. Shpesh ndodh që majat e tufëzave kanë ngjyrë vjollcë./AgroWeb.org