A keni dëgjuar ndonjëherë për një frut pylli që ngjan si një shalqi i vogël dhe ka shijen e një rrushi të athtë? Po flasim për atë që në latinisht quhet Ribes Uva, e që njihet në Shqipëri si Rrush frëngu, Rrush serezi ose Rrushi i dhelprës.

Rrushi i serezit rritet në Shqipëri në pyjet rrëze shpateve të kodrave dhe maleve dhe gjendet jo rrallë gati në gjithë territorin e vendit. Këto fruta pylli vijnë me ngjyra të ndryshme, të bardhë, të verdhë, të kuq apo edhe të zi.

Ata që kanë patur rastin ta provojnë, flasin me bindje dhe pa asnjë dyshim për vlerat unike të tij, duke nisur nga qetësimi i nervave deri tek kurimi i sëmundjeve. AgroWeb.org po ju sjell një renditje të shkurtër të vlerave dhe disa fakteve mbi këtë frut të vogël me vlera të mëdha.

Vlerat e Rrushit të Serezit

Ka pak kalori. Në 100 gramë gjenden 44 kalori. Megjithatë rrushi i serezit ka nivel të lartë antioksidantësh, veçanërisht flavone dhe anthocianinë. Këto përbërës ofrojnë përfitime të shumta kundër radikaleve të lira, plakjes, inflamacionit dhe sëmundjeve neurologjike

Është një burim i pasur i Vitaminës C. Ky frut përmban 69% të dozës së nevojshme ditore të vitaminës C, 20 herë më shumë se portokalli dhe për më tepër ato nuk e humbasin vitaminën gjatë proçesit të gatimit.

Ndaj, reçeli i këtij fruti vazhdon të mbetet një burim fantastik i vitaminës C.

Forcon sistemin imunitar. Përmban sasi të moderuara të vitaminës A, folatit, acidit pantotenik, vitaminë B5 për mbajtjen të shëndetshme të gjendrave vitaminë B-6, dhe thiaminë, vitaminë B1.

Rrushi i serezit përmban edhe minerale siç janë: kalciumi, për të parandaluar problemet e kockave, magnezi, kaliumi, bakri, fosfori dhe mangani. Hekuri që gjendet tek ky frut ruan qarkullimin e mirë të gjakut dhe rigjeneron qelizat e kuqe të gjakut.

Rrushi i serezit ndihmon parandalimin e diabetit duke stimuluar aftësinë e trupit për të prodhuar insulinë. Gjithashtu ka vlera kundër zhvillimit të qelizave të dëmshme, falë kombinimit të mineraleve, vitaminave dhe antioksidantëve.


Ky frut njihet për efektet kundër kollës, temperaturës, dhimbjeve, stresit dhe diaresë.

Rrushi i serezit gjithashtu përmirëson shëndetin e trurit dhe kujtesën, por edhe shëndetin e sistemit nervor dhe kardiovaskular.

Rrushi ribes mund të prodhojë fruta dhe të mbijetojë 20 vjet në natyrë. Ai mund të përballojë edhe temperatura të ftohta deri në -35°C. Të dhënat tregojnë se ky frut është përdorur në Mesjetë për të ulur temperaturën.

Në gjuhën angleze njihet edhe si "fayberries", pra ‘manaferra e zanave’, në bazë të gojëdhënave sipas të cilave sa herë që ishin në rrezik, zanat fshiheshin pas shkurreve të këtij fruti.

Mesa duket, ata që e njohin kanë të drejtë. Ky lloj fruti është mrekullisht i shijshëm, por edhe plot vlera ushqyese! Nëse keni mundësi mos lini pa e provuar!/AgroWeb.org