Referuar të dhënave të sotme nga tregu Agro-Ushqimor Tiranë, frutat si portokallet dhe shegët, të cilat pëlqehen fort nga konsumatorët këto ditë të para të pranverës, importohen nga Greqia me çmimet respektive 70-90 lek/kg për portokallet dhe 260 lek/kg për shegët.

Nga ana tjetër, fermerët shqiptare furnizojnë tregun me produkte vendase si domate 180 lek/kg, karrota 60 lek/kg, kunguj për 80 lek/kg dhe speca jeshil për 60 lek/kg. AgroWeb.org ju tregon se nëse do të zgjidhni specin jeshil që importohet nga Greqia, do të duhet ta paguani me një çmim shumë më të lartë që varion nga 230 deri në 260 lek/kg.

Krahasuar me muajin paraardhës, çmimi i arrave dhe i hurmave është rritur ndjeshëm. Nga 50 lek/kg që shiteshin hurmat e Tiranës në muajin shkurt, çmimi i tyre është rritur nëntë herë duke shkuar në 450 lek/kg.

AgroWeb.org raporton çmimi i arrave të Dibrës është dyfishuar, nga 300 lek/kg në muajin shkurt në 600 lek/kg këtë muaj. Kjo rritje e çmimeve vjen për shkak se rezervave të prodhimit të këtyre produkteve është duke i ardhur fundi.

Rajoni i Korçës vijon të tregtojë fasulen e bardhë të vendit, e cila shitet me çmimin 170 lekëve për kilogramë dhe fasulen e kuqe për 250 lek/kg. Konkurenti i fasules së Korçës është Egjipti, i cili eksporton në Shqipëri fasulen e bardhë për 220 lek/kg.

Gjithashtu tregu i fruta-perimeve furnizohet me mollët e Korçës, çmimi i së cilave varion nga 35 deri në 90 lek për kilogramë, në varësi të cilësisë së frutit. Ndërsa patatja vjen si nga Korça ashtu edhe nga Kukësi, me çmimin maksimal të 50 lek/kg, sipas referencave të tregut të konsultuara nga AgroWeb.org

Hapësira Divjakë-Lushnje vazhdon të jetë një ndër furnizuesit kryesorë me fruta-perime. Përveç domateve dhe karrotave, brokoli i Divjakës shitet për 180 lek/kg, lakra e bardhë dhe lakra e kuqe shiten respektivisht për 15 dhe 40 lek kilogrami, panxhari i kuq ka një çmim që varion nga 70 deri në 150 lek/kg ndërsa prasi shitet për 30 lek/kg.

Pjesën tjetër të frutave, i importojmë nga Greqia, e cila kryesisht na furnizon me ato që quhen fruta ekzotike, por edhe me produkte të tjera që i bëjnë konkurencë produkteve shqiptare.

AgroWeb ju tregon se dardha greke shitet për 200 lek/kg, avokado për 450 lek/kg, ananasi 200 lek/kg, qitro 100 lek/kg, rrushi i bardhë 500 lek/kg ndërsa mango vjen për 450 lek/kg.

Përsa i përket perimeve, patllixhani shitet në tregun e shumicës me 200 lek/kg, selino 230 lek/kg, kastraveci 80 lek/kg ndërsa speci jeshil për minimalisht 230 lek/kg.

Të gjitha çmimet e mësipërme janë marrë nga tregu Agro-Ushqimor me shumicë i Tiranës, ndaj ato mund t’i krahasoni me çmimet që vendosen në tregun apo marketin pranë shtëpisë suaj./AgroWeb.org