Cili është çelësi i përgatitjes së një sallate spektakolare e super të shijshme? Produktet organike e të freskëta, sigurisht. Mënyra ideale për t’u furnizuar me perime të freskëta është t’i rrisësh ato në kopshtin, tarracën ose ballkonin tënd. Zbuloni mënyrat si të rrisni vetë 5 përbërsit kryesorë të një sallate të shijshme.

Sallata jeshile
Sallata jeshile konsiderohet baza e çdo sallate. Është tepër e lehtë për t’u rritur dhe nuk ka kapriço kur vjen puna tek vendndodhja, qoftë kopshti apo saksia. Sallata jeshile konsiderohet si pikënisja e duhur e pasionit për kopshtarinë për fëmijët tuaj. Eksperimentoni me varietete të ndryshme dhe argëtohuni. Në treg, mund të gjeni paketa me fara të ndryshme gati për mbjellje. Gjashtë javë pas ngricës së fundi të stinës, mund ta mbillni farën e sallatës në hapësira të brendshme dhe 3 javë pas çeljes së filizave mund ta transportoni në hapësirat e jashtme. Sallata jeshile lulëzon mirë në një tokë të lagësht dhe në hapësira të freskëta. Këshillë: këputeni sallatën në orët e para të mëngjesit kur është në pikun e freskisë.

Spinaqi

Spinaqi është një përbërës fantastik i çdo sallate. Gjethet e tij me ngjyrë të gjelbër të errët, shija e tokës dhe sasia e madhe e ushqyesve e bëjnë spinaqin të domosdoshëm në çdo sallatë. Spinaqi është shumë i thjeshtë për t’u rritur në kushtet e shtëpisë. Atij i pëlqen moti i freskët, ndaj ju këshillojmë ta mbillni 6 javë përpara ngricës së fundit të parashikuar të stinës. Toka duhet të jetë e shkrifët dhe e përzier me pleh të pasur. Mbjellja duhet të jetë në një vend të mbrojtur nga ngrica. Farat duhen mbjellë në një thellësi prej 2 centimetrash. Tufat e spinaqit do të mund t’i këpusni 6 javë nga mbjellja.

Rrepkat
Rrepa është e nevojshme për të shumëfishuar shijen e sallatës, duke i dhënë asaj një nuancë pikante. Farat e rrepës mbillen deri në 2 javë përpara ngricës së fundit të parashikuar të stinës. Ato mund t’i mbillni në një thellësi 2-3 centimetra nëntokë. Bima e rrepës lulëzon mirë në mot të freskët. Mos harroni që rrepa preferon të jetë në një rreze të pjesshme të dritës së diellit. Në më pak se 3 javë, kjo perime do të jetë gati për konsum.

Domatet
Domatet sjellin ngjyrë, aromë, shije dhe përmbajtje në sallatën tuaj. Zgjidhni filizët organikë, nëse është e mundur dhe mbillini pas ngricës së fundit në pranverë. Zgjidhni zonën më të prekur nga dielli dhe mbillini filizët thellë në tokë në mënyrë që të krijohet një sistem i fortë dhe i shëndetshëm i rrënjës. Ekspertët rekomandojnë që dheu të mbulojë të paktën 2/3 e kërcellit të bimës. Krijoni një sistem mbështetës që domatet të rriten në vargje.

Bishtajat
Bishtajat janë miku më i mirë i të apasionuarve pas kopshtarisë. Ato rriten mirë dhe shpejt. Pasi të ketë kaluar rreziku i ngricave, zgjidhni një vend të prekur nga dielli, të kulluar mirë dhe mbillini farat 1-3 centimetra thellë nën tokë. Bishtajat kanë nevojë për një sistem mbështetës siç janë shkopinjtë të cilët duhen ngulur në tokë përpara mbjelljes. Bishtajat do të jenë gati pas 50 ditësh ndërsa bizelet pas 60 ditësh. Këto prodhime mund të ruhen edhe tek zona e ngrirjes në frigorifer dhe të përdoren në sallata për gjatë gjithë vitit./AgroWeb.org