Rrushi i thatë ka fituar shumë popullaritet mes konsumatorëve si rezultat i vlerave të tij të çmuara në shëndetin e njeriut. Ky kontribut merret si i mirëqenë, por të paktë janë ata që dinë gjithçka mbi vetitë e rrushit të thatë.

Këto kokrra të vogla, me ngjyrë të errët dhe shije të ëmbël bëjnë një punë shumë të madhe sepse janë të mbushur me ushqyes të rëndësishëm. Së fundmi, rrushi i thatë duhet të konkurojë me shumë fruta të tjera të thata, që duan të zenë vend në preferencat e ushqyerjes tek njerëzit.

Le të flasim për stafidhet, që njihen edhe me emrin Sultana, një alternativë tjetër e rrushit të thatë që ofron të njëjtat vlera shëndetësore. Por, për të kuptuar dallimin mes rrushit të thatë dhe stafidheve, është e rëndësishme të flasim si fillim për paraqitjen dhe origjinën e tyre.

Kokrrat e thata vijnë nga rrushi i bardhë që thahet e rrudhet deri sa formon topthat e vegjël aq të shijshëm. Rrushi humbet ngjyrën fillestare dhe nis e nxihet teksa thahet. Më pas mblidhet, përpunohet dhe shitet në variantin që ne gjejmë sot në treg.

Edhe stafidhet vijnë nga rrushi i bardhë pa fara që thahet akoma pa u këputur. Nëse në rastin e rrushit të zakonshëm të thatë, kokrrat e frutit janë të një ngjyre jeshile të çelët, në rastin e varietetit Sultana, kokrrat e rrushit janë të një ngjyre të verdhë të çelët.

Ky rrush është kokërrvogël, plot lëng dhe më i ëmbël. Mbledhja e këtyre kokrrave është e vështirë. Perceptimi i përgjithshëm është se, për aq kohë sa keni vreshta, nuk do t’ju mungojë kurrë rrushi i thatë apo stafidhet. Ky perceptim është i gabuar.

Në të vërtetë, kemi të bëjmë me një proces më të gjatë. Kur rrushi tejpiqet, mblidhet me kujdes dhe thahet në ajër të pastër. Nëse rrushi ka nevojë të thahet për një periudhë më të gjatë, atëherë ai përpunohet me një lloj zbardhuesi organik. 

Nëse gjendeni përpara zgjedhjes mes rrushit të thatë ose stafidheve, kë duhet të zgjidhni, sidomos kur vlerat mes tyre janë të njëjta?

Në ditët e sotme, zgjedhja më e mirë është stafidhja, që ka një shije më të ëmbël. Ka shumë njerëz që e krahasojnë shijen e stafidheve me ëmbëlsinë natyrale të mjaltit.

Ëmbëlsia e madhe e stafidheve vjen si pasojë e sasisë së lartë të sheqerit që ka rrushi. Në aspektin ushqimor, varieteti Sultana vlen si zëvëndësues i rrushit të zakonshëm të thatë në shumë ëmbëlsira dhe ushqime të tjera.

Burimi kryesor i rrushit të zakonshëm të thatë dhe stafidheve janë vendet e Bashkimit Europian, kryesisht Greqia, Qipro, Spanja dhe Turqia. Ndër prodhuesit e tjerë të këtyre kokrrave të ëmbla mund të veçojmë edhe Afrikën e Jugut, Shtetet e Bashkuara dhe Australinë.

Të dy varietetet arrijnë të përthithin lagështinë, ndaj është tejet e rëndësishme që rrushi të thahet siç duhet, në mënyrë që të jetë i mbrojtur nga myku. Nëse kokrrat e ëmbla janë me myk, atëherë duhet t’i hidhni tutje sa më shpejt.

Përveç mykut, kokrrat e ëmbla janë të ndjeshme ndaj fermentimit apo prishjes. Të dy këto varietete duhen mbajtur në një ambient me temperaturë normale, për të siguruar jetëgjatësinë dhe freskinë e tyre./AgroWeb.org