A keni dëgjuar për kopshtarinë organike dhe këshillat e panumërta që vijnë prej saj? Një prej këtyre këshillave ka të bëjë me fertilizimin apo ushqyesit. Nëse dëshironi lule tepër të bukura apo bimë të shëndetëshme, këshillohet zhytja e lëkurës së bananes, ose frutit të plotë, pranë zonës ku keni bërë mbjelljen.

Një tjetër këshillë ka të bëjë me lëvozhgat e vezës, të cilat duhet të bashkohen me plehun, ose edhe me përdorimin e mbejteve të kafesë në kopshtin tuaj. Secili prej këtyre produkteve do të rrisë nivelin e ushqyerjes së bimëve të mbjella në kopshtin tuaj organik.

Nëse jeni të apasionuar pas rritjes së perimeve organike, atëherë ushqimi i duhur përmes këtyre këshillave, pasuron ushqyerjen e bimëve dhe praktikisht nuk ju kushton asgjë. Më poshtë do të lexoni këshillat dhe sugjerimet e AgroWeb.org për një mbjellje sa më të pastër dhe organike, si edhe recetën e përzierjes së tyre. 

Kafeja

Kafeja shërben si një ushqyes shumë i mirë për bimët që kanë nevojë për aciditet, siç janë boronicat, trëndafilat, lulet azalea dhe domatet. Këto bimë lulëzojnë në mënyrë perfekte falë nitrogjenit tek kafeja e bluar, ose mbetjet e kafesë. Përzieni pak pluhur mbetje kafeje në tokë ose hidheni mbi të përpara vaditjes.

Një tjetër sugjerim është që të bëni lëng kafeje duke përdorur 6 gota me kafe pluhur në një kovë me ujë. Lërini së bashku për 2 deri në 3 ditë dhe më pas përdoreni për vaditje.

Lëkura e bananes

Bananet janë të shëndetshme dhe të shijshme. Ato janë një burim i shkëlqyer kaliumi. Lëkurat e bananes mund t’i përdorni për fertilizim, sidomos të trëndafilave. Këto lule kanë nevojë për kalium. Në zonën ku do të mbillni trëndafilat hidhni më parë dy lëkura bananeje. Mbulojini mirë me dhè.

Ato do e ushqejnë bimën dhe do fuqizojnë lulëzimin e saj. Lulet do të jenë më të mëdha dhe më të shëndetshme. Lëkurën e bananes mund ta përdorni edhe si ushqyes për perimet e mbjella. 

Lëvozhga e vezës

Lajini lëvozhgat e vezëve dhe shtypini. Përzijini me dheun që do të përdorni për mbjelljen e bimëve. Lëvozhgat e vezëve janë tepër të mira për specat dhe domatet. Kalciumi që gjendet tek to i bën specat dhe domatet të rriten dhe lulëzojnë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Mos harroni që lëvozhgat e vezëve kanë një përqendrim të lartë të karbonatit të kalciumit, si në rastin e gëlqeres, ndaj ato mund t’i përdorni kur përgatisni plehun në kushtet e shtëpisë, veçanërisht për domatet. Frutat dhe perimet që do të dalin nga bima e ushqyer mirë do të jenë të shëndetshme.

Si të përgatisni plehun ushqyes

Ju nevojiten :
• 1-2 lëkura bananesh
• 2-3 lëvozhga veze
• 200-300 gr mbetje kafeje
• 1-2 gota ujë
• Mikser

Hidhni të gjithë përbërësit në mikser dhe përzijini për një deri në tre minuta. Dozat e përbërësve të lartpërmendur varen nga sasia e plehut ushqyes, për të cilin keni nevojë. Hidhni pak ujë në masën e përfituar dhe përdoreni në kopshtin tuaj. Rezultatet do të jenë mbresëlënëse./AgroWeb.org