Vaji i ullirit, është një produkt të cilit i janë thurur lavde prej shekujsh dhe me plot të drejtë. Çdo popullatë në botë që ka bazuar ushqyerjen e saj tek vaji i ullirit ka pasur shëndet të mirë dhe jetë të gjatë. Shembullin më të afërt e gjejmë te Greqia fqinje, ku janë të provuara vlerat shëndetësore të përfshirjes së vajit të ullirit në stilin e tyre të ushqyerjes. E njëjta gjë vërehet në Spanjë. Studimet kanë treguar që konsumi i vajit të ullirit në të dy vendet ka çuar në rënien e vdekshmërisë me 26 përqind.

Vaji i ullirit kombinohet në mënyrë të shëndetshme me ushqimet e tjera

Të dhënat shkencore sugjerojnë që vaji i ullirit kombinohet mjaft mirë me ushqyesit dhe përbërësit e një sallate. Po kështu, vaji i ullirit ul tensionin e gjakut dhe mbron vajrat e mirë Omega-3 tek peshqit që i nënshtrohen skuqjes ose pjekjes.

Nëse vajin e ullirit e përdorni për marinimin dhe gatimin e mishit, atëherë do t’i japë atij një shtresë të mirë antioksidantësh dhe do të largojë kimikatet e dëmshme që çlirohen gjatë temperaturave të larta. Nëse vajin ekstra të virgjër të ullirit e përdorni me perime, atëherë do të përftoni një dozë të fuqishme antioksidantësh dhe vitaminash.

Antioksidantët te vaji i ullirit janë të rëndësishëm për shëndetin

Antioksidantët tek ushqimet dhe ndikimi i tyre në organizmin dhe mirëqenien tonë kanë qenë gjjithnjë një subjekt i rëndësishëm studimesh shkencore. Autoriteti për Sigurinë Shëndetësore në Bashkimin Evropian ka pranuar rëndësinë e antioksidantëve në vajin ekstra të virgjër të ullirit në uljen e stresit oksidues të kolesterolit të keq, një nga shkaktarët më të këqinj të sëmundjeve të zemrës. Antioksidantët tek vaji i ullirit arrijnë të neutralizojnë kimikatet e këqija që formohen në trup dhe shkaktojnë një sërë sëmundjesh të rënda.

Llojet e ndryshme të vajit të ullirit dhe siguria në gatim

Vajin e ullirit mund ta përdorni për skuqje, kavërdisje dhe pjekje për sa kohë temperatura e përdorur nuk kalon 200 gradë celcius. Rrjedhimisht nuk ka arsye përse të shqetësoheni për rreziqet e kimikateve gjatë gatimit. Një studim i kohëve të fundit tregoi se përdorimi i rregullt i vajit të ullirit në gatim nuk rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës. Antioksidantët që përmban vaji mund të zbehen pak gjatë gatimit por mbeten të paprekur.

Këshillat kryesore për përdorimin e vajit të ullirit
Vaji ekstra i virgjër mund të përdoret në pjekje, skuqje, kavërdisje, rosto, spërkatje, aromatizim ose thjesht për të lyer një fetë bukë të thekur, siç e bëjnë në çdo vend të Mesdheut. Ekspertët rekomandojnë ta konsumoni vajin e ullirit në çdo vakt, madje edhe në mëngjes me fruta dhe arrorë./AgroWeb.org