Kombinimi i trëndafilit me mjaltë është një kurë e pabesueshme kundër ankthit dhe stresit. Këto dy produkte bëjnë një punë përrallore në qetësimin dhe gjallërimin e çdo shpirti të trazuar. Por puna e tyre nuk mbaron me kaq. Mjalti me petale trëndafili arrin të luftojë inflamacionin, shëron të djegurat, plagët e vogla, muskujt e kontraktuar, por edhe largon stresin, zbut nervat dhe sjell pranverë në shpirtin tuaj.

Mënyra më e mirë për të shfrytëzuar të mirat e trëndafilit është përzierja e petaleve me mjaltin. Trëndafili dhe mjalti janë formula ideale për të shoqëruar çajrat, kosin, tërshërën e shumë nga ushqimet tuaja të preferuara. Më poshtë do të lexoni për mënyrën ideale se si të përgatisni këtë përzierje trullosëse.

Si të përgatisni mjaltin me petale trëndafili

Përgatitja e mjaltit me petalet e trëndafilit është jashtëzakonisht e lehtë. Gjithçka që ju nevojitet janë petalet e freskëta të rëndafilit dhe një mjaltë me ngjyrë të çelët nga prodhuesit më të mirë të Shqipërisë.

Duhet të siguroheni që trëndafilat e përdorur janë plot aromë. Sa më e fortë aroma e tyre, aq më i mirë do të jetë produkti përfundimtar. Ekspertët thonë se periudha më e mirë për të shfrytëzuar petalet e trëndafilit është pas avullimit të vesës së mëngjesit. Gjithashtu, duhet të dini që sasia e petaleve të trëndafilit që ju nevojiten varet nga sasia e mjaltit që zotëroni.

Përbërësit e nevojshëm për mjaltin me petale trëndafili

• Petale të freskëta trëndafili me aromë
• Mjaltë i pasur dhe i pastër me ngjyrë të çelët. Mjalti me ngjyrë të errët ka një shije dhe aromë më të ndezur.
• Shkop i hollë kuzhine
• Kavanoz qelqi 

Udhëzimet

• Mblidhni petalet e freskëta të trëndafilit dhe vendosini mbi një letër kuzhine.
• Largoni insektet dhe papastërtitë me dorë, ose shpërlaijini petalet me kujdes me ujë dhe thajini menjëherë dhe plotësisht. Duhet të kini parasysh që uji ka ndikim të keq tek mjalti.
• Shtoni petalet në kavanoz duke mbushur gjysmën e tij. Më pas hidhni mjaltë të pastër dhe mbulojini petalet plotësisht.
• Përdorni shkopin e hollë të kuzhinës (si ato të kuzhinës kineze) për të përzier petalet me mjaltin dhe sigurohuni që ato janë tërësisht të mbuluara.
• Përpiquni të hiqni të gjitha bulëzat e ajrit duke e tundur kavanozin.
• Mbylleni kapakun mirë dhe vendoseni kavanozin në një vend të errët në dollapin tuaj.
• Përzijeni mjaltin në mënyrë periodike gjatë dy javëve në vazhdim.
• Pas dy javësh, kullojeni mjaltin në kullesë që të largoni petalet dhe mbetje të tjera. Petalet do të kenë humbur ngjyrën dhe formën e tyre.
• Sigurohuni që të filtroni mjaltin e mbetur nga petalet duke përdorur një lugë.
• Tani mjalti juaj me trëndafil është gati për përdorim./AgroWeb.org