Sa herë që kemi dëgjuar për bakteret në stomak, në mend na kanë ardhur mendime nga më të këqijat. Lexuesit e AgroWeb.org duhet të kuptojnë se stomaku në të vërtetë ka nevojë edhe për baktere për të përpunuar ushqimin në energji. Këto baktere, të njohura si probiotikë janë në të vërtetë shumë të mirë për organizmin. Probiotikët i kemi dëgjuar shpesh sidomos tek produktet si kosi. AgroWeb.org do t’ju tregojë më shumë për probiotikët dhe rëndësia që ato kanë për organizmin.

Trakti gastrointenstinal është një nga më të rëndësishmit në organizëm. Ai është përgjegjës për tretjen.

Tretja e duhur është thelbësore për shëndetin dhe probiotikët janë po aq të rëndësishëm. Kur ekulibrat e baktereve në këtë trakt prishen, atëherë përballemi me probleme si gazra, fryrje, diare, konstipacion, dhimbje barku, sëmundje autoimunitare, lodhje kronike, diabet, sëmundje neuromuskulare dhe pamjaftueshmëri të vitaminës B12.

Nëse keni vuajtur nga këto simptoma, atëherë është koha të merrni kontrollin mbi traktin gastrointestinal. Më poshtë do të gjeni pesë këshilla fantastike nga AgroWeb.org që promovojnë shëndetin e stomakut dhe mirëqenies.

1. Merrni probiotikë cilësorë
Probiotikët u zbuluan për herë të parë në vitin 1907 nga fituesi i çmimit Nobel, Elie Metchnikoff. Ai kreu një studim të rëndësishëm që zbuloi rëndësinë e konsumit të qumështit të fermentuar që përmbante Lactobacilli, një bakter që prodhon acid laktik dhe mirëmban florën intestinale. Sot, suplementet me probiotikë gjenden në shumë dyqane dhe farmaci. Kur të kërkoni për probiotikë, zgjidhni ato që përmbajnë 5-10 miliardë njësi të formimit të kolonive (njësi matëse e probiotikëve).

Kapsulat janë më të mira se varianti i lëngshëm, sepse ato ndihmojnë bakteret të mbijetojnë në ambientin më acid të stomakut. Lloje të ndryshme të baktereve të mira janë të nevojshme, sepse ofrojnë një ndihmë të larmishme. Disa baktere ndihmojnë me tretjen e fibrës, disa me përthithjen e vitaminave dhe disa me lëvizjen e rregullt të zorrëve.

2. Shmangni përdorimin e tepërt të antibiotikëve
Antibiotikët shkatërrojnë bakteret e mira për të cilat kemi nevojë, bashkë me bakteret e dëmshme që na sëmurin. Kjo prishje e harmonisë së brendshme shkakton probleme me larminë e baktereve në organizëm dhe ka një ndikim të rëndësishëm në shëndet.

3. Përfshini më shumë ushqime të fermentuara në ushqyerjen tuaj 
Ushqimet e fermentuara prodhojnë baktere të mira, por sigurohuni që t’i prodhoni vetë ushqimet e tilla. Ushqimet e blera në dyqane janë të pasterizuara, që do të thotë se shkaktojnë më shumë dëm se sa bëjnë mirë. Disa prej ushqimeve të pasterizuara që rekomandohen për një stomak të shëndetshëm përfshijnë:

- Lakrën turshi
- Kosin
- Salcën e sojës
- Tofu të fermentuar
- Çaj i zi ose jeshil i fermentuar

4. Hani më pak sheqer të rafinuar
Sheqeri i rafinuar shkakton një sërë problemesh siç janë inflamacioni, shtimi në peshë dhe prishja e ekuilibrit hormonal. Për më tepër, ky sheqer nxit formimin e baktereve të këqija dhe lëndon balancën e florës intestinale.

5. Mos u stresoni
Neuronët në murin intestinal shpërndajnë të gjitha informacionet e nevojshme. Kjo nxjerr në pah një lidhje të fortë mes trurit dhe stomakut, rrjedhimisht impaktin e stresit në këtë organ. Kur jeni të stresuar, truri i dërgon stomakut mesazhe në formën e lëndëve kimike që shpërqëndrojnë punën e stomakut.

Një stomak i shëndetshëm ka nevojë gjithashtu për qetësi, terapi aromash, stërvitje, ushqyerje të mirë dhe mbi të gjitha shumë të qeshura. E qeshura të zgjat jetën dhe mjekët mendojnë se e qeshura largon edhe stresin, duke prodhuar endorfina dhe duke ulur hormonin e stresit. Qeshni më shumë, stomaku do t'ju falenderojë dhe bakteret e mira do të punojnë për mirëqenien tuaj./AgroWeb.org