‘Jeta vjen nga një vezë’ siç thotë një proverb i vjetër latin. E vërteta është që në të gjitha kulturat dhe traditat, veza konsiderohet si një emblemë e vetë jetës, ndaj edhe përdoret në të gjitha festat e pranverës.

Çdo vit gjatë kësaj periudhe, përgjithësisht kërkesa për vezë dyfishohet. Kjo ndodh në Evropë, por edhe në Shqipëri gjithashtu.

Në këto javë që i paraprijnë fundjavës së Pashkëve, kompanitë e prodhimit të vezëve në Shqipëri kanë një rritje të prodhimit për t’iu përgjigjur kërkesës së tregut, që sigurisht ka një rritje domethënëse nga mesatarja javore e zakonshme.

‘Nuk është më e pazakontë për konsumatorët shqiptarë të konsumojnë më shumë vezë këtë javë’ thotë për AgroWeb.org. Albana Ndreu, Drejtore e Shitjeve dhe Marketingut në kompaninë AIBA.

‘Investimi që kompania ka bërë në teknologji dhe në rrjetet tona të distribucionit, ka bërë që të kemi, jo vetëm rritje të cilësisë së vezëve, por edhe të shkurtojmë kohën nga ferma në treg. Kërkesa e tregut është rritur vërtet shumë këto ditë, por kemi arritur ta menaxhojmë më së miri, pasi kemi qenë të përgatitur për këtë’, znj. Ndreu pohon, duke shtuar se gjithçka është në kontroll për t’iu përgjigjur kërkesës së konsumatorëve në këto ditë festive.

‘Vezët AIBA në çdo market janë më të freskëta se asnjëherë, thotë ajo. Përvoja jonë 23 vjeçare, është garancia që provon se kompania AIBA, me idetë e saj të reja, përpiqet gjithnjë të jetë në lartësinë e kërkesave të konsumatorëve.’

Kompania AIBA është ndër të paktat kompani në Shqipëri që ka edhe një laborator modern, ku jo vetëm kryen analiza për produktet e fermës, por edhe ofron shërbime e konsulencë për kompani të tjera agrobiznesi. Përfaqësues të Kompanisë AIBA thanë për AgroWeb.org se laboratori i kompanisë ka kapacitet të plotë për të ofruar një gamë të gjerë të shërbimeve edhe ndaj kompanive të tjera, duke kryer një numër të konsiderueshëm analizash fziko-kimike dhe bakterologjike. Kontrolli kryhet si në sipërfaqe ashtu edhe në brendësi të vezës, për të siguruar një prodhim cilësor dhe për të tregëtuar një produkt të sigurt për konsumatorin.

Edhe eksportet e vezëve shqiptare janë rritur ndjeshëm në sasi e vlerë. Gjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë janë eksportuar 7,334 ton vezë në tregun ndërkombëtar me një vlerë prej gati 202 milionë lekë. Ndërkohë që në vitet e kaluara, shifra ishte më e ulët, prej vetëm 3.218 ton vezë të eksportuara.

Kompania AIBA, përveç përhapjes cilësore në tregun shqiptar, është kthyer në një partner të mirëbesueshëm sigurie të kërkuar nga tregjet europiane. Rritja e kërkesës për vezët shqiptare, kryesisht të markës AIBA, nga tregu ndërkombëtar ka bërë që industria e vezëve sot të jetë një nga sektorët me potencial më të lartë për eksport, ku gati 50% e prodhimit shkon kryesisht në Itali, Greqi, Kroaci, Kosovë e më gjerë.

 

*Shkrimi i mësipërm është mundësuar përmes partneritetit të programit SmartCapital për zhvillimin e sektorëve të ekonomisë dhe AIBA Company.