Në Shqipëri, barishtet e egra të pasura me vlera kurative, kanë qenë dhe mbeten nga barishtet e bahçeve dhe parcelave të vogla dhe pjesë e përhershme e tregut të fshatarëve. Të tilla janë disa prej tyre si rradhiqet, çikorja dhe nena e gjelbër, të cilat gjejnë përdorim të rëndësishëm në kuzhinë, por mbi të gjitha vlejnë edhe si barishte mjekësore.

Njerëzit kanë shfrytëzuar vetitë e jashtëzakonshme të këtyre bimëve të njohura edhe si lakra të egra në mjekësinë tradicionale. Lexoni më poshtë vlerat e tyre sipas të ekspertëve të AgroWeb.org

Rradhiqet

Barishtet e egra përmbajnë fibër, që ndikon në uljen e nivelit të kolesterolit në gjak. Rradhiqet stabilizojnë nivelin e sheqernave në gjak. Ushqimet e pasura me vitaminë K, siç janë edhe rradhiqet janë të rekomandueshme për të ruajtur shëndetin e kockave dhe atë kardiovaskular. Rradhiqet janë një burim i pasur i vitaminës A (72% të dozës ditore) që mbron dhe forcon shëndetin e syve, hundës, gojës, fytit, mushkërisë dhe aparatit tretës.

Ato janë të pasura me përbërës anti-inflamatorë dhe antioksidantë që mbrojnë nga radikalet e lira. Rradhiqet janë fantastike për t’u konsumuar gjatë kohës kur trupi ynë ka nevojë për më shumë vitamina, si përshembull gjatë pranverës dhe në kohën e shtatzanisë për femrat.

Çikorja

Çikorja përmban minerale si zinku magnezi, mangani, kalciumi, hekuri, kaliumi, acidi folik dhe vitaminat A, B6, C, E dhe K. Çikorja përmirëson funksionet e aparatit tretës, redukton nivelin e kolesterolit të keq i cili shkakton tension të lartë të gjakut dhe bllokon arteriet dhe venat duke rritur rrezikun e sëmundjeve të zemrës.

Çikorja luan një rol të rëndësishëm në fuqizimin e sistemit imunitar. Antioksidantët që gjenden në këtë bimë largojnë radikalet e lira nga qarkullimi i gjakut duke zvogëluar kështu shanset e sëmundjeve të ndryshme veçanërisht të zemrës. Çikorja ul nivelet e ankthit dhe qetëson mendjen duke shuar stresin dhe eliminuar efektet e rrezikshme që shkakton ai.

Nena e gjelbër

Nena e gjelbër mund të gatuhet si perimet, pra të ziehen apo të piqen. Gjethet mund të konsumohen të freskëta, të gatuhen, të thahen apo të përdoren në supë, pjekje dhe sallata. Nena e egër nuk përmban gluten, është e pasur me proteina dhe përmban amino acidin lysine.

Gjethet janë shumë ushqyese dhe përmbajnë vitamina e minerale përfshirë vitaminën B, Manganin, Vitaminën C e të tjerë. Nena e egër lufton inflamacionin dhe parandalon aktivitetin e dëmshëm të radikaleve të lira.

Nena e egër ndihmon në ekuilibrin e kolesterolit në organizëm duke eliminuar atë të keqin. Përmbajtja e kaliumit tek nena e egër ul tensionin e gjakut duke zgjeruar enët e gjakut dhe duke ulur presionin ndaj sistemit kardiovaskular.

Lakrat e egra mund të konsumohen të freskëta, të ziera, të thara, mbushje për byrekët apo të përdoren në supëra apo sallata shumë të shëndetshme./AgroWeb.org