'Po ndodh një Revolucion i Ushqimit. Kjo është një fitore për fëmijët”. Këto ishin fjalët e shefit të famshëm britanik të kuzhinës, Jamie Oliver, inisiator i fushatës sensibilizuese, pas lajmit të papritur të qeverisë britanike për të vendosur një taksë të sheqerit për pijet kryesisht të gazuara duke filluar nga 2018.

Taksa do të llogaritet për të gjitha pijet me përmbajtje të lartë sheqeri, veçanërisht pijet e gazuara, të cilat konsumohen më së shumti nga të rinjtë. Lëngjet e frutave dhe pijet me bazë qumështi do të përjashtohen nga kjo taksë dhe prodhuesit e vegjël nuk do të përfshihen në këtë skemë taksimi. Taksa do të vendoset për kompanitë e mëdha, në bazë të volumit të prodhimit apo importit të pijeve të ëmbla.

Po Shqipëria?

Disa pije kanë sasi tepër të lartë sheqeri. Imagjinoni, sasia e sheqerit në një kanaçe tipike 330ml me kola përmban 35 g sheqer, 7 lugë çaji të plota. Sasia maksimale e rekomanduar në një ditë ditë të plotë për moshën mbi 11 vjeç është 30 g sheqer. Me vetëm një kola keni tejkaluar sasinë ditore dhe merrni rrugën për shtim të peshës.

Në Shqipëri, gjithnjë e më shumë vihet re një konsum i madh i pijeve të gazuara që përmbajnë sasi të mëdha sheqeri. Këto pije janë shumë të dëmshme veçanërisht për fëmijët. A ka ardhur koha që edhe vendi ynë të përfshihet në këtë fushatë globale, për taksim mbi pijet e sheqerosura, së paku si një luftë ndaj kequshqimit të fëmijëve?

Sheqernat natyralë gjenden në disa burime si qumështi (laktoza) dhe në fruta (fruktoza), por problem nuk vjen nga fakti që ne pimë qumësht apo hamë mollë, por nga shtesat e sheqerit të përpunuar që u shtohen ushqimeve të përpunuara.

Sheqeri gjendet tek lëngjet e frutave jo natyrale, tek pijet energjike, tek ëmbëlsirat, keku dhe biskotat. Sasia e lartë e sheqerit të bën që të kesh tendencë ndaj obezitetit, duke qenë se ushqimet me sheqer kanë tendencë të kenë dhe shumë kalori, në mënyrë të veçantë nëse kanë dhe yndyrna. Për më tepër ngrënia e tepërt e pijeve dhe vakteve me shumë sheqer sjell dhe prishjen e dhëmbëve.

Kur e teprojmë dhe kur jemi brenda masës?

Lexoni etiketat. Një produkt me nivel të lartë sheqeri ka më shumë se 15 gr sheqer për 100gr. Një produkt me sasi të vogël sheqeri ka 5 gr sheqer ose më pak për 100 gr. Disa nga sheqernat në etiketën e produktit mund të jenë edhe nga qumështi ose frutat. Kështu një produkt që përmban qumësht ose fruta do të ishte një zgjedhje më e shëndetshme sesa një me të njëjtën sasi sheqeri, por pa përbërës të qumështit apo frutave.

Si ta ulni sasinë e sheqerit në ushqimin tuaj

Hiqni dorë nga çokollatat apo produktet me sheqer, në vend të tyre konsumoni fruta. Mbi të gjitha vendoseni vetë se kur keni nevojë për ëmbëlsira, por mundohuni t'i rrini larg pijeve të sheqerosura që të paktën të shmangni sheqerin e kotë. Zgjidhni produkte që kanë sasi të vogla sheqeri. Zgjidhni lëng frutash natyral në vend të lëngjeve me ëmbëlsues. Zgjidhni të jetoni shëndetshëm. /AgroWeb.org