Spinaqi ka qenë për shumë kohë në qendër të vëmendjes si një ndër ushqimet më të shëndetshme. Por tani, ushqime të tjera si brokoli dhe lulelakra kanë dalë në pah si perimet më të mira për shëndetin. Shkencëtarët dhe ekspertët ushqimorë mendojnë se kjo familje botanike perimesh ku përfshihet brokoli, lakra dhe lulelakra duhet të marrë vlerësimin e merituar.

Perimet e familjes Cruciferous janë ndër më të pasurit me ushqyes, vitamina dhe minerale. Për më tepër ato përmbajnë substanca të rëndësishme që luftojnë sëmundjet. AgroWeb.org ka zbardhur listën e plotë të përfitimeve që vijnë nga këto perime.

Vlerat për organizmin

Perimet në fjalë janë ndër burimet më të pasura të disa substancave të quajtura glukosinolates. Këto substanca i japin këtyre perimeve shijen e ndezur dhe transformohen në agjentë të rëndësishëm që mbrojnë organizmin nga radikalet e lira.

Një studim i kohëve të fundit zbuloi se një racion i vetëm me këto perime gjatë një harku kohor prej 2 vitesh, ul rrezikun e radikaleve të lira që dëmtojnë qelizat e gjirit me 17%, të ezofagut me 28 përqind, të veshkave me 32 përqind. Secila prej perimeve ka një përbërës të ndryshëm që lufton radikalet e lira, ndaj AgroWeb.org ju rekomandon të keni një larmi të këtyre perimeve në tryezën tuaj.

Këto perime përmbajnë karotenoidë që përmirësojnë shikimin por edhe fibër, folat, kalium, vitaminat C, E dhe K. Familja e lakrave mban nën kontroll inflamacionin dhe mbron ndaj sëmundjeve të zemrës.

Në një studim mbi stilin e ushqyerjes së mbi 130,000 njerëzve, zbuloi se personat që konsumojnë 170 gramë perime të kësaj familjeje botanike në ditë, ulin rrezikun e sëmundjeve të zemrës me 20 përqind në krahasim me ata që konsumojnë më pak nga këto perime. 

Gatimi dhe servirja

Në avull ose të kavërdisura. Falë këtyre metodave ju do të mund të ruani sasinë më të madhe të substancave të dobishme. Synoni gjithnjë që perimet të jenë pak krokante, pra jo plotësisht të gatuara. Nëse e teproni me nxehtësinë, perimet do të humbasin vlerat, ngjyrën dhe shijen dhe nuk do të joshin as syrin, as qiellzën. 

Patatina me lakra të vogla. Hiqni një e nga një gjethet e lakrës së vogël. Spërkatini me vaj ulliri dhe piqini për 20 minuta në 350 gradë deri sa të forcohen si patatinat. Mos harroni t’u ndërroni anën çdo pesë minuta. 

Sallatat. Grijeni lakrën hollë dhe spërkateni me vaj ulliri dhe/ose uthull. Këtë sallatë të këndshme mund ta përdorni në receta të ndryshme me bazë peshku. Studimet kanë treguar që përmbajtja e sulfurit tek lakra nëse kombinohet me seleniumin tek peshku fiton fuqi të mëdha për të luftuar radikalet e lira.

Ruajini gjethet dhe kërcenjtë e brokolit. Mund t’i përdorni në gatimet me makarona, për salca ose për kavërdisje me vaj ulliri.

Sallata e ujit. Përzijeni me barishte të tjera si spinaqi dhe spërkateni me lëng limoni. Shtoni avokado dhe mollë e do të keni një sallatë gjithëpërfshirëse në vlera dhe shije./AgroWeb.org