Lulet e freskëta dhe jeshile të pishës janë ideale për përgatitjen e një shurupi që do të ndezë ngjyrën dhe shijen e ëmbëlsirës suaj të preferuar apo recetave të mëngjesit.

Pisha ka pikun e lulëzimit të saj në mes të majit. Që në lashtësi, shqiptarët i kanë mbledhur dhe përdorur sythat e vegjël të pishave për të përgatitur një shurup special. Ato vendosen në kavanozë qelqi dhe rrinë në diell për disa muaj, deri sa të marrin ngjyrën kafe karakteristike.

Përgjatë kësaj kohe, sythat lëshojnë një lëng me aromë të theksuar pishe. Pas filtrimit, lëngu përzihet me sheqer organik dhe gatuhet në një temperaturë të ulët deri sa transformohet në një shurup të ëmbël dhe të pasur me vlera. Mund ta imagjoni sa kohë dhe sa mund nevojitet për përgatitjen e një shisheje të vogël me shurup pishe.

Shija dhe aroma shumë dimensionale e këtij shurupi e bën atë krejt të veçantë. Përdorimet e tij shkojnë përtej ëmbëlsirave.

Shurupin mund ta përdorim edhe në mishin e pjekur, djathin e dhisë ose ëmbëlsira si krem karamel. Në aspekt arome, shurupi i përngjan rozmarinës dhe mentes, ndaj atë mund ta përdorni në çajrat e ftohtë me fruta pylli ose në lëngjet tretëse me limon. Mjaftojnë disa pika të tij, për t’ju sjellë natyrën e bukur në tryezën tuaj.

Receta e shurupit të pishës për një person

Përbërësit:
• 1 gotë me sheqer kaf organik
• 1 gotë me ujë
• 4 sytha pishe të copëtuar

Udhëzimet:

Sythat apo lulet e pishës janë mbledhur dhe ruajtur në një kavanoz per disa muaj. 
1. Hidhni sheqerin dhe ujin në një tenxhere të vogël dhe lërini të ziejnë. Hidhni sythat e pishës në lëngun e sheqerosur dhe lërini për 15 minuta të tjerë, duke i përzier herë pas here.
2. Kullojeni shurupin me një napë të pastër. Hidheni në një shishe qelqi dhe mbylleni kapakun. Shishen ruajeni në frigorifer. Nëse dëshironi ta ruani për një periudhë më të gjatë, atëherë shurupin mund ta ndani në kavanozë të vegjël duke mos i mbushur plotësisht. Kavanozët e vegjël mund t’i vendosni në një enë me ujë të zier për 10 minuta.

Shënim: Përdorni vaj ulliri për të larguar rrëshirën që mund të ketë mbetur në duart tuaja./AgroWeb.org