Frutat e pyllit janë unike në shije dhe vlera, por bashkimi i tyre, si gjithmonë sjell fuqinë maksimale për organizmin. Nëse konsumoni boronica, luleshtrydhe, manaferra dhe boronica të kuqe, vlerat shëndetësore të tyre do të shumëfishohen në të mirën e shëndetit tuaj. Përfshirja e frutave të pyllit në ushqimet tuaja është një metodë mjaft e mirë dhe e zgjuar për të parandaluar sëmundjet dhe përmirësuar shëndetin.

Shkencëtarët kanë shumë të drejtë kur i klasifikojnë këto fruta si super ushqime, sepse ato janë të pasura me ushqyes, antioksidantë, fibër, vitaminë C dhe folat. Më poshtë do të lexoni mbi vlerat e tyre dhe rekomandimet e AgroWeb.org për përgatitjen e lëngut të plotfuqishëm të frutave të pyllit.

Çfarë thonë studimet për konsumin e frutave të pyllit.
Frutat e pyllit janë të pasura me flavonoidë, një ndër antioksidantët më të fuqishëm që ekzistojnë. Ato gjenden me shumicë në frutat e pyllit dhe janë përgjegjëse për pigmentin e zjarrtë të së kuqes, vjollcës ose blusë që karakterizon këto fruta. Studimet kanë zbuluar lidhje të forta mes flavonoidëve që gjenden tek boronicat dhe manaferrat me uljen e ndjeshme të rrezikut që i kanoset organizmit nga radikalet e lira. Flavonoidët e ndihmojnë organizmin të jetë më i mbrojtur ndaj sëmundjeve. Ato neutralizojnë radikalet e lira të cilat dëmtojnë qelizat e shëndetshme. Prodhimi i këtyre substancave të rrezikshme shtohet kur ne ekspozohemi ndaj ndotjes, rrezatimeve, tymit të duhanit dhe pesticideve. Flavonoidët ruajnë ose përmirësojnë shëndetin e trurit duke ngadalësuar përshpejtimin e sëmundjeve që e dëmtojnë atë. Fitoushqyesit që gjenden tek kokrrat e pyllit përmirësojnë komunikimin mes qelizave të trurit, një proçes që me kalimin e kohës bëhet gjithnjë e më i vështirë.

Të gjitha frutat dhe perimet janë të pasura me fibër, por frutat e pyllit janë të veçanta. Pektina, lloji kryesor i fibrës që përmbajnë këto fruta është e tretshme. Ajo ngadalëson tretjen duke ju ndihmuar të qëndroni të ngopur për shumë kohë. Një gjë e tillë mund të ndihmojë edhe në përpjekjet tuaja për të rënë në peshë. Pektina rregullon nivelet e sheqerit në gjak, ndaj frutat e pyllit nuk duhet të mungojnë në tryezën e njerëzve që vuajnë nga diabeti. Frutat e pyllit janë një burim i mirë i vitaminës C, edhe ajo një antioksidant i fuqishëm dhe i dobishëm për rritjen dhe zhvillimin e organizmit, shërimin e plagëve dhe pakësimin e kohëzgjatjes së gripit apo të ftohtit. Frutat e pyllit janë të pasura me folat, ose siç njihet ndryshe vitamina B9 që gjendet natyralisht tek frutat, veçanërisht tek luleshtrydhet.

Nivelet e larta të homocisteinës, aminoacidit që dëmton enët e gjakut, rrisin rrezikun e sëmundjeve të zemrës. Folati është një nga armiqtë kryesorë të saj. Studimet kanë treguar se antioksidantët kanë një ndikim të fortë në tensionin e lartë të gjakut. Ato zgjerojnë enët e gjakut dhe përmirësojnë qarkullimin e tij duke ulur në të njëjtën kohë tensionin. 

Frutat e pyllit përmbajnë fruktozë, një sheqer natyral që mbetabolizohet pa nevojën e insulinës. Frutat e pyllit janë ideale për rënien në peshë, sepse ato përmbajnë pak kalori dhe aspak yndyrna. 

PËRBËRËSIT
• 1 filxhan me mjedra të freskëta
• 1 filxhan me boronica të freskëta
• 1 filxhan me manaferra të freskëta
• 2 mollë

UDHËZIMET
1. Lajini frutat
2. Qëroni mollët dhe prijini në feta
3. Shtrydhini
4. Përzijini mirë dhe servireni lëngun të ftohtë./AgroWeb.org