Gjykata Administrative hodhi sot poshtë urdhrin për dhënien e koncesionit për hidrocentralin në Poçem, në Vjosë. Gjykata cilësoi se nuk është respektuar procedura për vlerësimin e projektit si do të ndikonte në mjedis dhe agjencitë shtetërore përjashtuan publikun nga ky proces.

Gjykata argumenton se Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka shkelur ligjin dhe deklarata mjedisore e lëshuar nga Ministria e Mjedisit, që është lëshuar në vitin 2014 është i pavlefshëm.

Ministria Energjetikës shpalli më 2016 vendimin për dhënien me koncesion 35-vjeçar për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, në rrjedhën e poshtme të lumit Vjosa, te një kompani turke.

Sipas një koalicioni të gjerë të Organizatave Mjedisore ndërtimi i digave në Poçem dhe Kalivaç si dhe hidrocentraleve të vegjël në degët e Vjosës si Lengaricë, Bënçë, Shushicë, Kardhiq, Picar etj, do t’i jepte fund vizionit për një Park Kombëtar në rrjedhën e Vjosës.

Rreth 30 shkencëtarë nga universitetet më të njohura evropiane nga Austria, Gjermania, Sllovenia, së bashku me kolegë nga Shqipëria kanë zhvilluar kërkime studimore mbi lumin Vjosa, për të parë efektet që pritet te ketë ndërtimi i hidrocentralit të Poçemit dhe kanë treguar se dëmet në mjedis do të ishin të pallogaritshme.
Profesor Fritz Schiemer nga Universiteti i Vjenës, bëri thirrje për të ndaluar ndërtimin e hidrocentralit. 'Nëse HEC-i do të ndërtohet këtu, të gjithë dalim të humbur. Para se të ndërtohet një HEC duhet të bëhen studime të ndikimit në mjedis. Këtu dëmet ekologjike do të ishin të mëdha, jo vetëm për sa i përket përmbytjes që do shkaktonte humbjen e florës dhe faunës në zonë, por do të ulte edhe nivelin e ujrave nëntokësor. Vjosa është lumi i fundit, i egër natyror në Evropë. Dëmi do jetë edhe për gjeneratat që do vijnë’, tha Fritz Schiemer.
Në rezolutën e miratuar për Shqipërinë pak javë më parë në Parlamentin Evropian, një paragraf i veçantë i kushtohet pikërisht përpjekjeve të shtetit për të ndërtuar një hidrocentral në lumin e Vjosës. Parlamenti Europian ka këshilluar qeverinë shqiptare që jo vetëm të heqë dorë nga planet për ndërtimin e kaskadës në Vjosë, por për më tepër të krijojë Parkun Kombëtar të Vjosës.

Mrekullia 270 kilometra e gjatë Vjosës, e shtrirë nga malet e Pindit në Greqi në Detin Adriatik, rrezikohet nga ndërtimi i një dige 25 metra të gjatë që pa dyshim do të shkatërrojë një nga pjesët ekologjikisht më të vlefshme të lumit. Por, lajmi se lumi i Vjosës është kthyer në çështje edhe për Parlamentin Europian, gëzon të gjithë ata që prej muajsh kanë protestuar dhe kanë sensibilizuar opinionin publik.

Më herët, aktivistë nga EcoAlbania në Shqipëri, Riverwatch nga Austria, EuroNatur nga Gjermania dhe nga 38 fshatra të zonës e kanë paditur zyrtarisht Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, Ministrinë e Mjedisit dhe Agjencinë Kombëtare të Mjedisit në lidhje me ndërtimin e digës së Poçemit./AgroWeb.org