Patatet e reja kanë zbarkuar në çdo treg të Shqipërisë. Është e vështirë t’u rezistosh me shijen dhe pamjen e freskët që kanë. Zona e Shishtavecit në Kukës dhe Stëbleva, Librazhdi, Korça dhe Pogradeci janë më bujaret në ofrimin e varieteteve të ndryshme të patateve të një cilësie superiore.

Patatet e reja kanë lëkurë të hollë të lëmuar dhe në ndryshim nga simotrat e tyre, arrijnë të ruajnë formën edhe pas prerjes dhe gatimit. Patatet e reja janë zakonisht më të ëmbla, sepse sheqernat nuk janë transformuar në niseshte dhe për këtë arsye përshtaten shumë mirë me sallatat.

Shqiptarët kanë tendencën që çdo patate të vogël ta quajnë të re. Por gjërat nuk janë kaq të thjeshta. Patatet e reja janë ato që dalin në treg menjëherë pas nxjerrjes nga toka. Zakonisht, patatet ruhen për disa javë që lëkura të zejë vend dhe çarjet e saj të sheshohen, duke garantuar kështu një jetëgjatësi më të madhe. Patatet e reja janë të njoma dhe kanë një shije të ëmbël në fillim me një nuancë hidhësie në fund. Më poshtë do të lexoni disa prej këshillave të AgroWeb.org mbi përzgjedhjen dhe ruajtjen e patateve të reja.

Si t’i zgjidhni patatet e reja
Mënyra më e mirë për të dalluar nëse patatja është e re është ta fërkoni lëkurën e saj me gishtin e madh. Lëkura duhet të jetë mjaft delikate dhe të hiqet menjëherë me një prekje.

Si t’i ruani patatet e reja
Patatet e reja mund të ruhen në temperaturë ambienti. Por duke qenë se ato nuk i janë nënshtruar procesit të kurimit që e përmendëm më lart, nuk do zgjasin për shumë kohë në krahasim me patatet e vjetra. Jetëgjatësia e patates së re është çështje ditësh dhe jo javësh. 

Si t’i gatuani patatet e reja
Patatet e reja kanë nevojë për gatim me avull dhe do të zbuten për rreth 12 minuta. Ndërkohë që po gatuani patatet, në një enë të veçantë hidhni dy lugë gjelle gjalpë të butë ose vaj ulliri, qepë të njoma ose barishte siç është majdanozi që përputhet mjaft mirë me pataten. Kur keni përfunduar së gatuari, hidhni patatet në enën ku keni përzier gjalpin ose vajin me barishtet dhe përzijini mirë. Servireni pjatën të ngrohtë.

Patatet (jo ato të skuqurat) përmbajnë pak kalori. Një kokërr mesatare e pjekur përmban 110 kalori. Patatet janë gjithashtu një burim i mirë vitaminash C dhe B6, apo manganiku, fosfori, niacin dhe acidi pantotenik. Fibra dhe kaliumi tek patatet ndihmojnë në uljen e kolesterolit dhe tensionit të gjakut. I vetmi disavantazh në konsumimin e patateve qëndron tek karbohidratet që rrisin nivelin e sheqerit në gjak dhe pak pas ngrënies e ulin atë menjëherë. Kjo do të thotë se njerëzve që hanë patate, u rikthehet uria menjëherë. Nga ana tjetër të njëjtët karbohidrate funksionojnë si fibra dhe ndihmojnë me tretjen. Në rastin e patates dhe jo vetëm, sekreti qëndron tek ekuilibri në sasinë e konsumuar./AgroWeb.org