Reçeli i ftoit është një specialitet shqiptar me të cilin krenohemi të gjithë. Ky reçel fantastik përgatitet mjaft lehtë. Ky është një lajm i mirë po të marrim në konsideratë që Shqipëria është një vend ideal për të gjetur ftonj shumë të mirë në treg.

Ftonjtë janë frutat e lashtësisë, të ndërlidhura botanikisht me dardhët dhe mollët. Kur ato piqen, marrin një ngjyrë të spikatur të artë. Shumica e varietetit të ftonjve janë të fortë, të thartë dhe me efekt drithërues për gojën.

Por kur piqen plotësisht dhe zbuten, apo kur bien edhe nga pema, janë në kohën e duhur për t’u transformuar në një reçel të shijshëm, nga ato që të bëjnë të lëpish gishtat. Me ftonjtë mund të bëhen ëmbëlsira dhe puding, por ftonjtë mund t’i pjekim ose t’i kavërdisim dhe të marrim prej tyre të njëjtën kënaqësi.

Ftonjtë rriten kryesisht në zonat e Shqipërisë me një stinë të nxehtë që lejon pjekjen e plotë të këtyre frutave. Ftonjtë nuk rriten në sasi të mëdha. Nëpër kopshte apo vreshta mund të gjeni një ose dy pemë ftoi në mesin e një larmie mollësh ose frutash të tjerë.

Në kohët e lashta, evropianët e përshkruanin reçelin e ftoit si një gatim special të rezervuar vetëm për aristokratë dhe fisnikë, të cilët marroseshin pas shijes së tij, por edhe pas aftësisë për të rregulluar problemet me zorrët ose kuruar pneumoninë dhe sëmundjet e mushkërisë.

AgroWeb.org ju fton të lexoni më poshtë dhe të mësoni se si të bëni reçelin e ftoit në shtëpi. Për këtë reçel do ju nevojiten përbërësit e mëposhtëm.

2 kg ftonj 

3-4 gota me sheqer
Lëkura e një portokalli
Lëngu i një portokalli
Lëkura e një limoni
Lëngu i një limoni
Çerek luge çaji me xhenxhefil të grirë
Çerek luge çaji me kanellë
Çerek luge çaji me karafil

Për përgatitjen e lëngut të ftoit, hapi i parë është larja, pastrimi i ftoit dhe prerja në copa të vogla. Mos i hidhni lëkurat ose farat sepse ato përmbajnë pektinë natyrale, një fibër e mirë.

Hidhini copat e ftoit në një tenxhere dhe mbusheni me ujë deri sa ftonjtë të pluskojnë në ujë. Lëreni ujin të zihet dhe përzijeni vazhdimisht. Uleni zjarrin, dhe lërëni lëngun të ftohet për 2-3 orë, duke e përzier herë pas here.

Në një tenxhere tjetër hidhni 6 gota me lëng ftoi, lëngun dhe lëkurën e portokallit dhe të limonit, erëzat dhe sheqerin. Lërini të vlojnë së bashku në një temperaturë mesatare për 20-40 minuta deri sa lëngu të arrijë trashësinë e nevojshme.

Kur reçeli të jetë bërë gati, hidheni nëpër kavanozë duke lënë pak hapësirë në sipërfaqe, mbyllini kapakët dhe vendosini në një enë me ujë të valuar për 10 minuta./AgroWeb.org