Një ngarkesë 26 tonëshe me mish pule nga Brazili, e cila ka rezultuar me përmbajtje të Salmonelës ka mbërritur edhe në Shqipëri.

Ky lajm vjen pas publikimit të disa artikujve nga AgroWeb.org mbi rrezikun e mishit nga Brazili dhe bllokimin e tij në disa vende evropiane, ku flitej edhe për një rrezik real për konsumatorin shqiptar.

Sot Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, AKU bën të ditur se ka bllokuar së fundmi këtë sasi mishi me salmonelë në pikën doganore të Durrësit.

Kjo ngarkesë me mish pule, pasi është analizuar nga ISUV, ka rezultuar me ngarkesë të virusit “Salmonela SPP”.

Për këtë arsye, ngarkesa do të kthehet mbrapsht nga kompania importuese, ose do të asgjësohet kundrejt legjislacionit shqiptar, por mbi të gjitha nuk do të lejohet të zbarkohet në Shqipëri.

Sipas burimeve nga AKU ‘Ky zbulim përbën lajm të mirë për konsumatorin, pasi, zbulimi nuk është i rastësishëm, pasi AKU ka marrë të gjitha masat që, asnjë ngarkesë me mish nga Brazili, pule apo tjetër lloj, nuk lejohet të futet në vendin tonë.’

Por ky bllokim vjen pas alarmit të ngritur nga AgroWeb.org e që bëri jehonë në media. Nuk ka ende të dhëna përfundimtare e të bindshme se çfarë ka hyrë në Shqipëri, përpara këtij alarmi mediatik, ndërkohë që prej tre muajsh vendet e Bashkimit Evropian po kthejnë dhe po bllokojnë me frekuencë të lartë një numër mjaft të madh të dërgesave të prodhimit të mishit të pulës nga Brazili./AgroWeb.org