Mani i njohur ndryshe edhe me emrin dialektor dudi ka përdorim të gjerë në mjekësinë popullore ku përdoren frutat dhe gjethet. Frutat e manit konsumohen të freskëta, ato janë freskuese dhe të shëndetshme.

Manat përmbajnë rreth 9 për qind sheqer, acide organike, taninë, kripëra të ndryshme etj. Me gjethet e manit përgatitet një çaj, i cili është i përshtatshëm për larjen e gojës kur ka raste të dhimbjes së mishit të dhëmbëve. Gjethet e manit të shtypura, bashkë me vaj ulliri, në trajtë pomade, përdoren për mjekimin e plagëve të shkaktuara nga djegie të ndryshme.

Një mënyrë shumë e mirë për të përfituar nga manat është pekmezi apo shurupi i tyre. Përgatitja e pekmezit nuk kërkon sheqer apo aditivë, që do të thotë se ky lëng është i ëmbël në mënyrë natyrale. Pekmezi përgatitet nga zierja e manave të çfarëdo ngjyre.

Gjatë pranverës, në shumë fshatra të vendit, mblidhen manat dhe prej tyre nxirret lëngu karakteristik. Lëngu i manave hidhet në kazanë bakri, ku përzihet dhe zihet deri sa të trashet në formën e mushtit. Pasi proçesi i gjatë i zierjes përfundon, lëngu vendoset në kavanozë dhe ruhet për gjithë vitin.

Pekmezi ose shurupi i manave përdoret për acarimet e zgavrës së gojës si stomatitet dhe faringitet. Në këto raste lyhet goja dhe gryka me pekmez, sidomos në darkë para fjetjes.

Pekmezi përdoret, gjithashtu, në mjekimin kundër anemisë, duke u dhënë fëmijëve ose të rriturve nga 2-3 lugë gjelle në ditë.

Nëse e konsumoni në mëngjes, pekmezi mund t’ju japë shumë energji për gjithë ditën. Shija e tij mund të ngjasojë me atë të mjaltit, por të një niveli më superior. Pekmezi mund të shijohet në shumë trajta të ndryshme. Ai përdoret në ëmbëlsira si zëvëndësues natyral i sheqerit në proçesin e pjekjes.

Por përveç pekmezit, edhe lëngu i manave të freskët ofron vlera shumë mirëbërëse për shëndetin, sidomos në pastrimin e gjakut në ciklet e stinës së pranverës, veti të cilat AgroWeb.org ju fton t'i ndiqni në vijim.

Vlerat e Lëngut të Manave

Shëron sëmundjen e membranës së gojës tek të rriturit dhe fëmijët

Lehtëson infeksionet e fytit

Ul tensionin e lartë të gjakut

Pastron gjakun në stinën e pranverës

Rregullon punën e organeve të sistemit të tretjes dhe ndihmon tretjen e ushqimit

Largon lodhjen dhe plogështinë dhe rrit rezistencën e organizmit

Përdoret për kurimin e anemisë, problemeve të tretjes dhe gastritit kronik

Si ta përgatisni

Shumë thjeshtë! Manat e freskëta i shtrydhni në mikser dhe përfitoni një lëng magjik, i cili nëse pihet në mëngjes do t'ju mbushë me energji dhe dinamizëm. Mushtin e frutave të manit mos e hidhni, por mund ta përdorni si shtesë në brumin e ëmbëlsirave tuaja./AgroWeb.org