Lëngu i luleshtrydheve përmban një pasuri vlerash unike shëndetësore dhe mbart veti dhe funksione mjaft të dobishme për trupin e njeriut. Akademikët dhe studiuesit kanë analizuar efektet e lëngut të luleshtrydheve në sistemin e qarkullimit të gjakut dhe kanë dalë në disa përfundime shumë të rëndësishme.

Studimet e tyre provojnë shkencërisht se luleshtrydhet përmbajnë disa substanca natyrale të cilat luajnë rol shumë mirëbërës në organizëm.

Këto substanca me bazë proteinike sjellin një kombinim të fuqive antioksidante dhe çlirojnë një sërë reagimesh të vlefshme në organizëm sidomos për rritjen e imunitetit , uljen e numrit të lipideve dhe zvogëlimin e kolesterolit në gjakun që qarkullon në organizëm.

Konsumimi i luleshtrydheve dhe aq më tepër i lëngut të luleshtrydheve që ofron më shumë sasi të produktit të konsumuar redukton fuqishëm nivelet e larta të kolesterolit të keq.

Gjithashtu funksionet e lëngut të luleshtrydheve përfshijnë uljen e prekshmërisë nga sëmundja e diabetit të tipit 2 dhe një mbrojtje shumë herë më të madhe nga sëmundjet dhe problemet e zemrës.

Kjo pije e kuqe është një dashuri më vete, jo vetëm për të rinjtë, por edhe për të moshuarit. Në përbërës i veçantë kimik i quajtur fisetin ndihmon të luftojë efektet e diabetit në fazat e para të tij, ul tensionin e gjakut dhe parandalon sëmundjen e Alzhaimerit tek të moshuarit.

Luleshtrydhja i bën mirë zemrës. Ajo përmban folat, vitaminë C dhe fibër. Ndihmon në uljen e nivelit të kolesterolit. Rrit nivelin e kaliumit në gjak e rrjedhimisht mban tensionin e gjakut nën kontroll.

Duke qenë se kjo periudhë është koha më e duhur e vitit për të përfituar nga luleshtrydhet e kultivuara në Shqipër, atëherë nuk duhet ta humbni këtë rast. Çmimet e luleshtrydheve në tregun vendas janë në nivelet më të ulëta, ndaj është momenti i mirë për lëngun e luleshtrydheve.

Në rast se doni të përgatisni vetë lëngun e luleshtrydheve, atëherë do t'ju duhen rreth 2 kilogram luleshtrydhe, 3 mollë dhe gjysëm litri ujë. Pastrojini luleshtrydhet, lajini dhe grijini në makinën grirëse. Më pas pastroni mollët dhe pritini në copa të cilat i grini së bashku edhe një herë me luleshtrydhet. shtoni ujin dhe grijeni të gjithë masën për 1 minutë. Shtoni lëngun e një gjysme limoni.

Lëngu juaj i luleshtrydheve do të jetë gati për t'u pirë pa u kulluar pasi edhe mushti i luleshtrydheve ka fibër të mirë. Ju do të merrni një shije magjike, ndërsa organizmi do të përfitojë vlera unike mirëbërëse./AgroWeb.org