Ndryshimi i stilit tradicional të të ushqyerit në Shqipëri dhe përdorimi i ushqimeve të shpejta, po bëhen gjithnjë e më të dukshme. Ky ushqim i shpejtë mund të jetë edhe i shijshëm, por aspak i shëndetshëm.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, studimet më të fundit kanë treguar që konsumimi i ushqimeve të shpejta arrin deri aty sa të sjellë çrregullime hormonale tek organizmi i konsumatorëve.

Kimikatet, ngjyruesit artificialë dhe konservantët shpesh anashkalohen nga konsumatorët, të cilët më të shumtën e rasteve nuk lexojnë etiketat, në mënyrë që, së paku të informohen mbi atë që konsumojnë.

Ekspertët e hormoneve shpjegojnë se këto kimikate kanë pasoja afatgjata tek njeriu, që kanë lidhje edhe me obezitetin, depresionin, azmën dhe alergjitë ndaj ushqimit.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë përbërësit e një etikete të një produkti që shitet masivisht në marketet shqiptare. E nëse lexoni etiketën kuptoni se sa shumë përbërës konservues ka në këtë produkt, që me shumë mundësi, e keni menduar me përbërës shumë të thjeshtë.

Në etiketë lexon: Miell Gruri (Përmban Gluten), Yndyrë Bimore (Palme, Luledielli, Pambuk, Canola), Shurup Glukoz-Fruktozë, Pluhur Hirre Djathi (Produkte Qumështi), Pluhur Djathi 2.4 % (Produkte Qumështi), Kripë, Aromatizues, Shtuesit e Vëllimit (Natrium Hidrogjen Karbonat, Amonium Hidrogjen Karbonat), Piper i Kuq, Agjent i përpunimit të Miellit (Metabisulfit Natriumi).

Bëhet fjalë për shkopinj brumi me djathë, që shiten në çdo market. Nuk është e rëndësishme as emri i produktit apo produkte të ngjashme.

Dikush edhe mund të zgjedhë t’i konsumojë pasi bëhet fjalë për produkte të lejuara me përbërës të lejuar, por që nuk janë përbërës natyralë. Zgjedhja i takon konsumatorit. E rëndësishme është ndërgjegjësimi për të lexuar etiketën e gjithçkaje që blini në treg. E mbi të gjitha të kërkoni informacion mbi çdo produkt që ju duket i dyshimtë.

Tregëtarët kanë detyrimin të informojnë konsumatorin dhe konsumatori duhet të kërkojë detaje mbi produktet që konsumon, produkte që kanë të bëjnë me shëndetin dhe jetën e tij./AgroWeb.org