Janë në ngjyrë të verdhë, të gërshetuar me të kuqen dhe me një shije të ëmbël që të pushton shqisat. Këto kokrra ndjellëse janë delikate si brenda ashtu edhe jashtë, ndaj mos hezitoni të shijoni disa prej tyre gjatë kësaj kohe të shkurtër që zbukurojnë tezgat e fshatarëve në vend pasi janë në sezonin e tyre.

Këto qershi, që ndryshe i quajmë qershitë e bardha i gjejmë krah atyre të kuqe. Në Shqipëri mund të jenë të nënvlerësuara, por kur të lexoni këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni të jepni qershive të bardha vendin e merituar.

Në disa vende të botës i quajnë edhe qershitë e Borëbardhës, pasi legjendet gjejnë ngjashmëri mes fytyrës së bardhë të Borëbardhës së përrallave dhe faqeve të kuqe të saj.

Në treg gjenden me një çmim nga 100-120 lekë dhe janë zgjedhje e parë për liko qershie, por faktet në vijim tregojnë se duhet t'i mbani në konsideratë edhe si fruta të freskëta.

Fakte interesante për qershitë e bardha
Të gjitha qershitë janë pjesë e të njëjtës familje botanike. Kumbulla madje është pasardhëse e qershisë së egër (Prunus avium). Qershitë janë një ndër frutat e shumta me bërthamë si kajsitë, pjeshkat dhe kumbullat, të cilat vazhdojnë të piqen edhe pasi janë mbledhur.

Qershia e bardhë është hibride e dy varieteteve të ëmbla dhe kuqalashe të qershive. Procesi i formimit të glukozës është puna më e rëndësishme e pemës së qershisë. Pema e qershisë së bardhë krijon nivele të larta të glukozës te fruti, ndaj qershia e bardhë ka sasinë më të lartë të glukozës në mesin e të gjitha frutave me bërthamë.

Gjithsesi, qershia përmban 75% ujë, gjë që e bën atë frutin perfekt për rënien në peshë. Ushqimet e pasura me ujë dhe me pak kalori ju mbajnë të ngopur për shumë kohë se ushqimet apo pijet me nivel të lartë kalorish.

Qershitë përmbajnë shumë fibër. Një grusht me qershi përmban 3 gramë fibër. Kjo e fundit përshpejton rënien në peshë dhe ul nivelet e kolesterolit, duke ngadalësuar përthithjen e tij në gjak.

Vlerat ushqimore të Qershisë së Bardhë


Le t’i hedhim një sy vlerave ushqimore të qershisë. Një filxhan me qershi ofron 91 kalori dhe vetëm 3 prej tyre vijnë nga yndyrnat. Përmbajtja e plotë e yndyrnave në qershitë e bardha është 0.29 g dhe ka një ndikim minimal në limitin e lejuar ditor të 65 gr të konsumit të plotë të yndyrnave.

Një filxhan me qershi përmban 1 gramë proteinë, edhe pse asnjëri prej nesh nuk mendon për proteinat kur konsumon fruta. Nëse shqetësoheni për proteinat, atëherë ka ushqime të tjera që plotësojnë këto nevoja. Qershitë e bardha janë plot vlerë kur konsumohen të freskëta, por edhe kur shtohen në ëmbëlsira, akullore, torta, biskota etj.

Qershia e bardhë kombinohet mirë me kajsitë, kumbullat, frutat e pyllit, vaniljen, kanellën, arrëmyshkun, çokollatën e zezë, shurupin e panjës. Për më tepër, ajo përputhet mirë në gatime edhe me borzilokun, rukolën, fistikët, vajin e ullirit, lajthitë, agrumet, peshkun e tymosur, sardelet, mishin e derrit, specin djegës, xhenxhefilin, djathin, sidomos atë që vjen nga qumështi i dhisë dhe deles./AgroWeb.org