Lëngu i finokut është i pasur me vlera ushqimore dhe është përdorur kryesisht në vendet e Mesdheut dhe së fundmi edhe në Shqipëri, jo vetëm si përbërës ushqimor por edhe si kurë mjekësore.

Kjo bimë e famshme lufton bakteret dhe forcon sistemin imunitar. Për më tepër, të dhënat shkencore sugjerojnë se finoku ndihmon kundër anemisë dhe mostretjes. Lëngu i finokut kombinohet mjaft mirë me lëngje të frutave dhe perimeve të tjera dhe shija e spikatur i jep nuanca thuajse ekzotike çdo lëngu tjetër.

Finokun mund ta gjeni në çdo treg të Shqipërisë, por periudha më e mirë për ta blerë është gjatë verës dhe vjeshtës. Sipas të dhënave të AgroWeb.org, zhardhokët e finokut janë më të ëmbël dhe kanë më pak fibër.

Aroma e spikatur e finokut vjen nga dy përbërës të veçantë: anetholi që është më i ëmbël se sheqeri dhe limonene që i jep finokut nuancën e agrumes. Një filxhan me finok përmban 6 gramë karbohidrate dhe 3 gramë fibër, që do të thotë se me të do jeni të ngopur për më gjatë se zakonisht.

Finoku plotëson 10 përqind të nevojës ditore për kalium ndaj është thelbësor për ruajtjen e ekuilibrit të elektroliteve në organizëm.

Një pyetje që lind natyrshëm është nëse duhet ta hiqni ose jo bazën e zhardhokut, që njihet edhe si zemra. Ajo zakonisht hiqet përpara gatimit sepse është shumë e fortë. Duke qenë se ju synoni ta shtrydhni atë, atëherë përdoreni zhardhokun të plotë. Pastrojeni finokun nga pesticidet dhe papastërtitë duke e larë me ujë të bollshëm.

Servirja
Në varësi të madhësisë së shtrydhëses, ju do të keni mundësi ta shtrydhni zhardhokun të plotë ose ta copëtoni. Një zhardhok mesatar (sa një grusht) do të gjenerojë deri në 120 mililitra lëng. Ky racion mjafton për të marrë sasi të nevojshme ushqyesish nga finoku.

Lëngun e finokut mund ta pini të plotë ose ta përzieni më lëngje të tjera. Kombinimet më të famshme përfshijnë ato me mollë dhe xhenxhefil, karrotë dhe panxhar, kastravec, limon jeshil dhe mjaltë, portokall dhe selino ose me çdo lloj fruti dhe perime tjetër që ju pëlqen.

Lëngu i finokut është një bazë ideale për lëngjet e plota të frutave dhe perimeve, ndaj atë mund ta shtoni në mikser së bashku me lëngun e portokallit, luleshtrydhet dhe bananet për të prodhuar një lëng fantastik dhe të freskët. 

Lëngu i Finokut, Mollës, Karrotës dhe Xhenxhefilit

Përbërësit për 2 persona
360 ml ose një gotë e gjysmë lëng molle
1 lugë gjelle me lëng limoni
1 portokall i qëruar dhe i ndarë në gjysmë
1 lugë gjelle me xhenxhefil të freskët
2 karrota të ndara në gjysmë
90 gramë ose një filxhan çaji finok të prerë në copa
1 mollë, të qëruar, pastruar nga farat dhe të ndarë në copa të vogla
260 gramë me kubikë akulli

Udhëzimet
Hidhini të gjithë përbërësit në mikser dhe përzijeni deri sa lëngu të jetë i njëtrajtshëm, një deri dy minuta dhe pijeni të freskët. Mund ta ruani per pak ditë në frigorifer, nëse bëni sasi më të madhe/AgroWeb.org