Nëse ju pëlqejnë çajrat bimorë, atëherë zgjidhni farat e linit, të cilat kanë qenë pjesë e mjekësisë tradicionale për qindra vite me rradhë. Studimet e kohëve moderne tregojnë se përbërësit e farave të linit arrijnë të mbështesin shëndetin e zemrës, të parandalojnë qelizat e dëmshme dhe të përmirësojnë mirëqenien në përgjithësi.

Shëndeti i zemrës
Farat e linit dhe çaji i tyre përmban acide yndyrore polio-të-pangopura Omega 3 dhe Omega 6, bashkë me disa përbërës biologjikë të cilat i bëjnë mirë organizmit. Shumë studime mbi këtë çështje sugjerojnë se ushqyerja me fara lini i bën mirë zemrës, ul kolesterolin dhe ul rrezikun e shfaqjes së sëmundjes së arteriosklerozës apo sëmundjeve të tjera kardiovaskulare. 

Kundër qelizave të dëmshme tumorale

Acidet yndyrore dhe përbërësit biologjikë te farat e linit janë antioksidantë që mbrojnë qelizat dhe indet nga radikalet e lira, të cilat formohen gjatë tretjes, ekspozimit ndaj toksinave apo dritës së diellit. Me kalimin e kohës, radikalet e lira dëmtojnë qelizat e ADN-së dhe çelin rrugën e formimit të qelizave të dëmshme dhe sëmundjeve të tjera.

Pas disa eksperimenteve, ekspertët amerikanë të Memorial Sloan Kettering Center arritën në konkluzionin se farat e linit ngadalësojnë rritjen e qelizave të dëmshme në prostatë, si dhe ato të gjirit dhe lëkurës. Shumë studime klinike sugjerojnë se përbërësit e farave të linit munden të ngadalësojnë rritjen e këtyre qelizave të dëmshme tek njerëzit. 

Ul sheqerin në gjak

Përbërësit te çaji i farave të linit arrijnë të ngadalësojnë ose ulin sheqerin në gjak pas ngrënies, duke pakësuar rrezikun e shfaqjes së diabetit të llojit 2. Një studim i publikuar tek "British Journal of Nutrition" vitet e fundit, zbuloi se individët që konsumonin ekstrakt të farave të linit kishin nivele të ulura të sheqerit në gjak dhe nivele të përmirësuara të kolesterolit. 

Simptomat e menopauzës

Disa prej përbërësve të farave të linit funksionojnë në mënyrë të njëjtë me estrogjenin. Ndaj çaji i farave të linit përmirëson problemet e menopauzës. Një studim i publikuar në revistën "Obstetrics and Gynecology" zbuloi se femrat në menopauzë që konsumonin suplemente të farave të linit për 2 muaj përjetonin një përmirësim të simptomave në krahasim me femrat që i ishin nënshtruar terapive për zëvëndësimin e hormoneve.

Një sasi ditore prej 50 gramë të farave të shtypura të linit konsiderohet si një alternativë e sigurt për shumë njerëz. Megjithatë, çaji i farave të linit nuk rekomandohet për femrat shtatzënë ose lehonë dhe për ata që janë alergjikë ndaj bimës së linit. 

Përgatitja e çajit të farave të linit
• Shtypni një lugë çaji me fara lini.
• Zieni një gotë me ujë dhe hidhini farat e shtypura. Lërini të ziejnë për 10-15 minuta.
• Kullojeni lëngun.
• Shtoni kanellë ose mjaltë për shije shtesë./AgroWeb.org