Me ardhjen e ditëve të nxehta të verës, njeriu supozohet të pijë tetë deri në nëtë gota ujë në ditë, që të parandalojë dehidratimin. Uji nuk është i vetmi që arrin të shuajë etjen. Çdo komb e çdo qytetërim ka pijen dhe ushqimin karakteristik që shuajnë etjen.

Në Shqipëri, dhalla është një nga pijet më të preferuara të verës. Dhalla përgatitet nga kosi dhe uji, ndërkohë që në shumë raste përfshihet dhe kripa. Dhalla është ndoshta një nga pijet më të lehta që mund të përgatitet në shtëpi. Mjafton të përzihen të gjithë përbërësit e lartpërmendur në sasi të ndryshme dhe do të përftoni dhallën e mirë e super të shijshme.

Dhalla është shumë e shëndetshme. Ajo nuk përmban sheqerna. Nëse ju pëlqen dhalla e kripur, atëherë duhet të dini që kjo pije është një mënyrë shumë e mirë për të marrë dozat e nevojshme të kripës gjatë verës, kur dehidratoheni dhe humbisni shumë lëngje dhe kripëra, që mund të jetë shumë e rrezikshme për shëndetin. Për më tepër, dhalla ofron përfitimet e pamohueshme të kosit që ka shumë proteina dhe kalcium.

Për qindra vite me rradhë, dhalla është përdorur për të qetësuar sistemin gastrointenstinal. Shumë njerëz janë në mëdyshje nëse duhet t’i shtojnë kripë kosit të holluar ose jo. E vërteta është se me ose pa kripë, dhalla është e dobishme në çdo stinë, por veçanërisht në pranverë dhe verë.

Disa ekpertë sugjerojnë që dhalla duhet pirë pa kripë, për arsyen e vetme se nëpërmjet ushqimeve ditore njerëzit marrin 15 gramë kripë, ndërkohë që doza e lejuar është 5 gramë në ditë. Përmbajtja e kripës në pije ka më shumë ndikim negativ tek të moshuarit se tek të miturit.

Dhalla përmirëson tretjen dhe largon gazrat e tepërt dhe në të njëjtën kohë përmirëson mikroflorën intestinale. Dhallën mund ta kombinoni me kastravec të freskët, mente dhe hudhër, një variant i taratorit tonë të famshëm.

6 përfitimet shëndetsore të dhallës

Dhalla përmban ujë, ndaj përmbush kuotën e rekomanduar.

Gjatë verës, njerëzit djersijnë shumë dhe humbasin kripërat natyrale, për të cilat organizmi ka nevojë. Dhalla zëvëndëson humbjet e pësuara ndaj ofron kënaqësi të menjëhershme gjatë verës.

Dhalla përmban sasi të larta të proteinës dhe kalciumit, ndaj i vjen në ndihmë shëndetit të kockave dhe dhëmbëve. Atletët dhe sportistët që kanë nevojë për sasi të mëdha proteine, pijnë dhallë në vend të varianteve pluhur të proteinës.

Duke qenë se nuk ka sheqer, dhalla i përshtatet njerëzve që janë në dietë dhe është një alternativë e shkëlqyer kundrejt pijeve të sheqerosura dhe të gazuara.

Organizmi ka nevojë për baktere të shëndetshme që sistemi tretës të funksionojë normalisht. Kosi përmban probiotikë, ndaj dhalla është ideale jo vetëm për këtë, por edhe për të larguar toksinat nga organizmi. Dhalla konsiderohet një kurë ideale pasi e keni tepruar me alkolin.

Bakteret e mira që gjenden tek kosi vijnë në ndihmë kundër konstipacionit.

Përgatitja e dhallës është shumë e thjeshtë dhe sasia e përbërësve varet nga shija juaj.

Në një mikser hidhni kos, ujë dhe pakëz kripë.

Përzijeni për 30 sekonda dhe pijeni menjëherë.

Nëse dëshironi shtoni pak mente ose kuba akulli. Ju bëftë mirë!/AgroWeb.org