Misri është padyshim një nga drithërat më të dashura për shqiptarët. Sapo kemi hyrë në stinën e konsumimit masiv të misrave të pjekur të cilët gjithnjë e më shumë konsumatorët nisin t'i gjejnë në çdo cep të plazheve të detit dhe trotuarëve të qytetit.

Por përveç traditës së hershme të konsumit të misrave, AgroWeb.org ju fton të zbuloni fakte krejt interesante lidhur me të mirat e këtij drithi që ndihmon në uljen e një nga problemeve më të përhapura shëndetësore të shqiptarëve. Bëjmë fjalë për tensionin e lartë të gjakut.

Misri vazhdon të jetë produkti numër një për të mbajtur të balancuar nivelin e kolesterolit në gjak, pasi ul ndjeshëm rritjen e parametrave të yndyrës në organizëm. Misri luan rol thelbësor në prodhimin e energjisë trupore te njeriu. Ky produkt është një burim i vërtetë proteinash dhe vitaminash.

Në disa studime ndërkombëtare të kryera me meshkuj të cilët kishin kolesterol të lartë, rezultoi se pas një trajtimi ushqimor me produkte misri, si dhe me ushqime të varfra në yndyrë, u arrit në rezultate mjaft të kënaqshme të cilat tregonin ulje të theksuar të niveleve të kolesterolit të keq.

Misri gjithashtu është burim energjie, sepse përmban vitaminën B, të domosdoshme për njeriun. Në Shqipëri, përveç konsumit të misrave të pjekur, një përhapje të gjerë dhe të veçantë dominon edhe buka e misrit, e cila prej kohësh është rekomanduar nga mjekësia tradicionale dhe ajo profesionale si zgjidhje për njerëzit që vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut./AgroWeb.org