Midhjet konsiderohen e ardhmja e industrisë së produkteve të detit në Shqipëri. Eksporti i këtyre produkteve pritet ta kthejë Butrintin në epiqendrën e prodhimit të midhjeve në mbarë Evropën.

Disa ekspertë mendojnë se Butrinti ka potencial në prodhimin e mbi 10,000 ton midhje në vit. Shqipëria ka dy pika kryesore për prodhimin e midhjeve- njëra në Butrint dhe tjetra në Shëngjin.

Kultivimi i midhjeve në Shëngjin është në hapat e parë të tij, me një prodhim që arrin në përafërsisht 500 ton në vit.

Prodhimi në lagunën e Butrintit është një traditë shumë vjeçare, ndërkohë që vendasit e cilësojnë lagunën si vendin ideal për prodhimin e midhjeve, jo vetëm në aspektin e temperaturës së ujit por edhe në nivelin e duhur të kripës.

Laguna furnizohet me ujë të freskët nga lumenjtë që derdhen në të dhe është e ndërlidhur me detin nëpërmjet një rruge të ngushtë ujore.

Një strukturë e tillë lejon përzierjen e ujit të ëmbël dhe atij me kripë duke krijuar kështu kushtet ideale për kultivimin e midhjeve.

Midhjet shërbehen kudo në bregdetin jugor të vendit dhe gjithnjë shoqërohen me verë të bardhë.

Vlerat shëndetësore

Ajo që duhet të veçojmë është se midhjet ofrojnë shumë vlera shëndetsore. Ato kanë fuqinë të promovojnë funksionin e shëndetshëm të qelizave.

Midhjet janë të pasura me proteinë që është përgjegjëse për shumë prej funksioneve qelizore të organizmit, duke i dhënë mbështetje strukturore për formën, komunikimin dhe ndërveprimin e shëndetshëm të qelizave.

Midhjet janë të dobishme për njerëzit që vuajnë nga artriti dhe azma. Ato luftojnë inflamacionin që është shkaktar për sëmundje të tilla që prekin shumë njerëz.

Midhjet përmirësojnë shëndetin e trurit. Ato janë një burim fantastik i acideve yndyrore Omega-3, të cilat janë thelbësore për trurin. Ato janë të mbushura me një acid specifik yndyror që është përbërës kryesor i trurit, retinës së syrit dhe lëkurës.

Ato përmbajnë edhe vitaminën B-12 që së bashku me acidin yndyror mbrojnë trurin dhe ruajnë kujtesën me kalimin e moshës. Midhjet janë të pasura edhe me minerale të tjera, për të cilat truri ka shumë nevojë.

Midhjet lehtësojnë qarkullimin e shëndetshëm në organet e rëndësishme dhe muskujt duke forcuar enët e gjakut dhe përmirësuar rrjedhjen e tij.

AgroWeb.org ju këshillon të konsumoni midhje që të garantoni një sistem qarkullues të shëndetshëm. Në një racion prej 85 gramësh do të gjeni 340% të dozës së rekomanduar ditore të vitaminës B-12, një sasi domethënëse që bën ndryshim në organizëm.

Kjo vitaminë është aq e nevojshme për trurin, saqë mungesa e saj edhe në sasi tepër të vogla shkakton dobësi në përqendrim, problem me kujtesën, humor të keq dhe mendime të turbullta./AgroWeb.org