Shqipëria është një nga vendet më malore në Evropë. 70% e territorit të vendit është malor. Peisazhi që ofrojnë malet shtatlartë është nga ata që të lë pa frymë dhe i rrallë në të gjithë botën. Luginat e vendit tonë kompozojnë një mozaik të bukur pyjesh, lëndinash, kullotash e lumenjsh që rrethohen nga majat e larta të veshura me dëborë edhe në fillimet e verës.

Për fat të keq, shqiptarët nuk e kanë përvetësuar akoma plotësisht kulturën e pushimeve malore. Megjithatë, situata po ndryshon për mirë, duke qenë se shumë turistë nga vende të ndryshme të Evropës vijnë në vend pikërisht për bukuritë natyrore të Shqipërisë.

Malet e Shqipërisë janë vendi perfekt për pushime dhe për të gjallëruar lidhjen me natyrën. Udhëtimi në mal ka një sërë vlerash shëndetsore, disa prej të cilave i gjeni të renditura në këtë artikull të AgroWeb.org

Ju mund të humbisni në peshë edhe nëse udhëtoni në mal për një javë të vetme. Lartësitë e mëdha mund të pakësojnë oreksin dhe na bëjnë të ndiheni të ngopur. Nëse jeni përtacë nga natyra dhe dëshironi të humbisni peshë duke ngrënë pica apo brumëra, atëherë shkoni në mal.

Lartësitë ju vijnë në ndihmë duke ulur rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare. Ky ajër ndihmon në krijimin e shtigjeve të reja për enët e gjakut në qarkullimin e oksigjenit.

Rreziku i vdekjes nga sëmundjet ishemike të zemrës është më i pakët. Njerëzit që jetojnë në lartësi të mëdha kanë më pak gjasa të kenë atak në zemër. Të dhënat shkencore konfirmojnë se të jetuarit në lartësi të mëdha e bën zemrën më të shëndetshme.

Të jetuarit në male u jep mushkërive një mundësi të marrin më shumë oksigjen të pastër. Ajëri i pastër ndihmon kundër problemeve respiratore dhe azmës. Mali është një zgjedhje e mirë edhe për ata që vuajnë nga alergjitë. Aroma e vetme që ndieni në mal është ajo e pishave, që pakëson stresin dhe depresionin.

Lavanda dhe lule të tjera që rriten buzë maleve ndihmojnë kundër depresionit dhe përmirësojnë gjumin. Nëse ndiheni të mërzitur, atëherë ngjitjuni malit. Në këtë mënyrë do të vlerësoni jetën dhe do të përballeni me frikërat tuaja, duke kuptuar përmasat reale të tyre.

Ecja në mal me miq krijon më shumë afrimitet. Mali do t'ju japë momente dhe kujtime të paharrueshme. Zhurmat, aromat dhe oshëtimat e natyrës i japin trurit qetësinë e nevojshme.

Pushimet në mal nuk janë ekskluzivitet i verës, por edhe i vjeshtës, kur ngjyrat e natyrës ndryshojnë apo edhe i dimrit, kur gjithçka vishet me të bardha dhe ofron pamje mahnitëse!/AgroWeb.org