Për shumë amvisa shqiptare, përgatitja e reçelit është shpesh edhe një pasion. Reçeli përbën mënyrën më të mirë për të ruajtur frutat dhe shijuar ato gjatë gjithë vitit.

Frutat më të preferuara për përgatitjen e reçelit janë qershitë, fiqtë, luleshtrydhet, portokallet, pjeshkët, kajsitë, por së fundmi një recetë e re po korr sukses në shtëpitë shqiptare.

AgroWeb.org ju rekomandon këtë recetë të re reçeli që kombinon mollën dhe xhenxhefilin, të pasura në vlera dhe përfitime.

Reçeli i shtëpisë është më i miri

Avantazhet e një produkti të gatuar në shtëpi janë të panumërta në krahasim me artikujt që shiten nëpër dyqane dhe supermarkete. Kur e bëni reçelin në shtëpi ju mund të kontrollini përbërësit që do të hidhen në kavanoz, pastërtinë e tyre por edhe të garantoni mungesën e substancave shtesë, ngjyruesve artificialë, apo pesticidëve.
Duke qenë se frutat janë të freskëta, reçeli i bërë në shtëpi zakonisht përmban përbërës të një cilësie të lartë, ndërkohë që kur reçeli bëhet në sasi të mëdha për shitje masive, përbërësit e përzgjedhur janë të një cilësie të dobët. Nëse i mblidhni perimet ose frutat nga kopështi juaj, kostoja e përgatitjes së reçelit është e ulët. Mund t’ju nevojitet më shumë kohë, por cilësia nuk ka të paguar.

Përbërësit:
1,5 kg mollë
750 gramë sheqer
700 ml ujë
250 gramë xhinxher
3 limonë - lëngu dhe pak lëkurë

Përgatitja

Lajini, qërojini dhe prijini mollët në feta. Vendosini në një tenxhere dhe ruani lëkurat duke i futur në një napë, të cilën duhet ta bashkoni me fetat e mollës gjatë zierjes, që të lëshojnë pektinën shtesë. Në tenxheren ku keni lënë fetat e mollës, hidhni ujë dhe ziejini të gjitha së bashku deri sa fetat të zbuten.

Hiqeni tenxheren nga zjarri, dhe largoni qesen prej nape me lëkurat dhe më pas shtypini fetat e mollës për të krijuar një masë të njëtrajtshme të qullët. Shtoni lëkurën dhe lëngun e limonëve, dhe xhenxhefilin e grirë hollë bashkë me sheqerin.

Përziejini të gjithë përbërësit deri sa sheqeri të nisë të shkrijë dhe rikthejeni tenxheren sërish në zjarr. Kur sheqeri të jetë shkrirë në masën e mollës, rriteni temperaturën dhe lëreni masën të ziejë për 5 minuta dhe më pas përzijeni për pesë minuta të tjera. Provojeni nëse shija ju pëlqen.

Në të kundërt përzijeni dhe zijeni sërish deri sa reçeli të arrijë trashësinë e duhur. Hiqeni tenxheren nga zjarri dhe lëreni të ftohet për 15 minuta.

Hidheni reçelin në kavanozë qelqi të pastër dhe të sterilizuar./AgroWeb.org