Në këto ditë të nxehta vere, prania e kësaj pjate tradicionale shqiptare në tryezat tona bëhet edhe më e dashur. I lehtë në shije ashtu si edhe në përgatitje, taratori është dhe një mjet shumë i rëndësishëm për të mbrojtur organizmin nga infeksionet mykotike.

Kjo pjatë tipike shqiptare nuk dallon vetëm për freskinë dhe shijen e saj. Taratori ka vlera të larta ushqyese, falë përbërësve të tij, kosit, hudhrës, kastravecit, kripës dhe vajit të ullirit.

Specialistët e cilësojnë taratorin si një ushqim që lufton fuqishëm infeksionet, kryesisht ato të tipit mykotik. Sipas tyre, elementi kryesor i kësaj vlere të taratorit vjen nga hudhra, e cila është një nga përbërësit kryesorë të kësaj pjate dhe që shërben si antibiotiku më i mirë natyral për organizmin e njeriut.

Hudhra ka efekte të jashtëzakonshme për shëndetin. E cilësuar si “armike” e mikrobeve, hudhra i shërben organizmit të njeriut si një antigjent ndaj inflamacioneve dhe infeksioneve. Prania e saj në pjatën e taratorit, bashkë me vlerat e tjera ushqyese të kosit, kripës dhe përbërësve të tjerë shndërrohet në një fuqi mbrojtëse për organizmin. Lexoni më poshtë sugjerimet e AgroWeb.org.

Mënyrat e përgatitjes së taratorit

Taratori përgatitet brenda pak minutash. Receta tradicionale është ajo me përbërësit klasikë' kos, kastraveca, hudhra, kripë dhe vaj ulliri.

Në një tas hidhet një kastravec i madhësisë mesatare i grirë shumë hollë. Merrni disa thelpinj hudhrash, i shtypni dhe hidhini tek masa e kastravecit të grirë.

Në një enë hidhet 500 gr kos dhe hollohet me pak ujë të ftohtë. Kjo masë hidhet më pas, pak e nga pak në tasin me kastraveca.

Nëqoftëse kosi nuk është shumë i athtë, shtohet pak lëng limoni ose uthull. Në fund, taratori rregullohet me vaj ulliri, koper të grirë hollë dhe piper të zi sipas dëshirës.

Kunguj apo speca të pjekur në vend të kastravecit

Një mënyrë tjetër e përgatitjes së taratorit është edhe përdorimi i kungujve të vegjël apo specave në vend të kastravecave.

Në këtë rast, kungujt apo specat përdoren të pjekur dhe i shtohen masës së kosit, të cilit ndërkohë i kemi hedhur kripën dhe hudhrat e shtypura.

Kur përdorim specat, pas pjekjes hiqini lëkurën dhe pritini në kubikë të vegjël për t'i hedhur më pas në masën e kosit.

Në fund, pjatës i hidhni edhe pak vaa vaj ulliri dhe erëza sipas dëshirës./AgroWeb.org