Kush i mban mend bajamet e njoma të lyera me kripë për lezet, me shijen fantastike dhe me shtresën e jashtme të gjelbër e të butë por të bardha, xhelatinoze e të lëngshme nga brenda?

Sa herë jemi ngjitur nëpër pemë për t’i këputur kur kemi qenë të vegjël, duke shijuar aromën e freskët të çliruar prej tyre, e shijen pak të athët e të ëmbël lehtë njëkohësisht. Na mpinin dhëmbët por na ftonin të hanim edhe një tjetër grusht më shumë gjithmonë.

Shqipëria është një vend i bekuar me një prodhimtari të lartë të bajameve që arrijnë të plotësojnë kërkesat e tregut vendas.

Kush ka fatin të shijojë pushime në fshat apo ka fatin të ketë në oborrin e shtëpisë private pemë bajame me patjetër ka provuar shijen e mrekullueshme që ofrojnë këto arrorë të dashur kur janë të njoma. Sot, banorët e zonave ku rriten këto arrorë, e njohin mirë shijen dhe aromën fantastike të bajameve të njoma.

Koha kur mund të përfitoni prej bajameve të njoma është e kufizuar. Me kalimin e kohës ajo piqet dhe forcohet duke u kthyer në bajamen që ne njohim. E gjithë bajamja e gjelbër e njomë mund të konsumohet nga njeriu. Shija e lëngshme, krokante dhe pak e thartë të sjell ndërmend një shartim mes mollës jeshile dhe rrushit.

Bajamet e njoma forcohen me kalimin e kohës. Në fillim ato kanë një lëkurë të tejdukshme, dhe një formë që të kujton rrushin. Më vonë ato marrin një pamje më kremoze dhe zbuten në kafshimin e parë.

Bajamen e njomë mund ta prini në dysh nëpërmjet një thike. Bërthama e vogël dhe e zbehtë është e butë dhe e mbushur me një substancë xhelatinoze. Kur e kafshon të duket sikur po provon lëkurën e shalqinit.

Ekspertët pranë AgroWeb.org konfirmojnë se bajamja e njomë ofron të njëjta përfitime ushqimore si bajamja e thatë duke përfshirë, vitaminën C, E, hekurin, kalciumin, magnezin, riboflavinën dhe l-karnitinën. Bajamja e njomë ofron proteinë dhe fibër dhe ka një tregues të ulët glicemie. Bajamja e njomë është e rrallë dhe e dobishme për shëndetin.

Ajo është e mbushur me antioksidantë të cilat largojnë toksinat nga organizmi. Ushqyesit tek bajamja e njomë forcojnë aktivitetin e sistemit imunitar dhe mund të shmangin një sërë sëmundjesh dhe infeksionesh.

Bajamja e njomë është shumë e mirë për rënien në peshë sepse përmban yndyrna të shëndetshme të cilat shpërbëjnë depozitat e yndyrnave të këqija dhe ju ndihmojnë të humbisni në peshë.

Bajamja e njomë është e mirë për stomakun sepse përmban shumë fibër që e përmirëson tretjen dhe trajton konstipacionin kronik.

Konsumi i bajameve të njoma i bën mirë flokëve. Bajamet e njoma janë të pasura me vitamina, minerale dhe substanca të tjera që ushqejnë rrënjët dhe majat e flokëve. Ajo ndihmon edhe kundër rënies së flokëve.

Bajamja e njomë është shumë e shijshme dhe mund të konsumohet si një ushqim i shpejtë. Spërkateni me kripë deti dhe shijojeni. Bajamen e njomë mund ta përfshini edhe në sallata. Ajo kombinohet mjaft mirë me dardhat ose sallatën jeshile./AgroWeb.org