Jufkat janë ndër ushqimet më të mira tradicionale që Shqipëria ofron. Të arta, të freskëta, të shijshme dhe plot vlera.

Në ditët e sotme, përgatitja e jufkave nuk është thjesht vetëm një traditë, por është transformuar në një biznes të vërtetë për shumë njerëz. Fama e këtij biznesi dhe këtij produkti shqiptar ka kapërcyer kufinjtë rajonalë por edhe ato përtej oqeanit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jufkat shqiptare janë ndër më të kërkuarat në restorantet e hapura nga shqiptarët.

Disa prej këtyre prodhuesve gjenden në Dibër, ku kanë përqendruar biznesin e prodhimit të produkteve të bulmetit dhe kanë krijuar lidhje të forta me kompanitë shpërndarëse të ushqimit nga Shtetet e Bashkuara, për furnizimin e tregjeve amerikane me produktet e shijshme shqiptare.

Jufka është një produkt i shijshëm, artizanal, tipik i zonës së Dibrës, në lindje të Shqipërisë.

Jufkat janë makarona të përgatitura në shtëpi me miell prej drithi të plotë të një cilësie të lartë të bluar në mulli. Mielli përzihet me qumësht, vezë (katër të verdha veze dhe katër vezë të plota për çdo kilogram miell ) dhe kripë. Brumi lihet në një vend të thatë për 1-5 ditë për të ardhur në mënyrë natyrale.

Më pas, brumi hapet dhe pritet në shirita të hollë të cilët duhen tharë. Pas tharjes, jufkat paketohen në kuti ose qese letre apo në kutiza prej druri. Është shumë e rëndësishme që jufkat të qëndrojnë në një vend të ajrosur mirë për të parandaluar mykun.

Jufkat mendohet të jenë përdorur gjithashtu edhe në komunitetin e Arbëreshëve që jetojnë në Itali që prej vitit 1480. Kjo e bën jufkën një produkt disa shekullor të traditës shqiptare. Edhe në ditët e sotme, jufkat përgatiten me shumë kujdes dhe dashuri nga amvisat e Dibrës.

Duke marrë në konsideratë mundësitë e kufizuara të punësimit në zonë, por edhe ambiciet për prezantimin e jufkës tek konsumatorë më të shumtë në numër, disa amvisa të fshatit Vakuf kanë ndërmarrë iniciativën e përgëzueshme për të zgjeruar prodhimin artizanal të jufkës për tregti.

Jufka është një produkt që ofron shumë energji por edhe ushqyes thelbësorë që vijnë në formën e fibrës, vitaminave, mineraleve dhe karbohidrateve.

Jufka është baza e ushqimeve të shëndetshme, plot vlera dhe që kënaqin shqisat. Ashtu si makaronat e përgatitura në shtëpi, jufkat janë një burim i shkëlqyer i karbohidrateve komplekse që ndihmojnë në çlirimin e ngadaltë të energjisë.

Por ndryshe nga sheqernat e thjeshtë të cilët rrisin shpejt dozat e energjisë, jufkat e bëjnë atë më të qëndrueshme dhe të balancuar./AgroWeb.org