Manaferrat dhe boronicat janë dy nga frutat e pyllit më të pasura në vlera, vitamina, antioksidantë dhe minerale. Antioksidantët janë të domosdoshëm për organizmin sepse luftojnë radikalet e lira, të cilat jo vetëm që përshpejtojnë plakjen por edhe dëmtojnë sistemin imunitar.

Frutat me ngjyrë të errët siç janë manaferrat dhe boronicat janë bujare në ofrimin e antioksidantëve. Ato mund t’i konsumoni në mënyra të ndryshme, me kos, drithëra dhe ëmbëlsira.

Këto fruta pylli janë shumë delikate dhe jetëshkurtër. Rrjedhimisht, ngrirja është mënyra më e mirë për të përfituar prej tyre për një kohë më të gjatë.

Si t’i ngrini boronicat dhe manaferrat

Hapi 1

Vendosini frutat në një kullesë në lavaman. Shpëlajini me ujë të ftohtë dhe lërini për pak minuta që uji i akumuluar të kullojë.

Hapi 2

Shpërndajini kokrrat në një shtresë të vetme mbi një letër pjekje dhe lërini të qëndrojnë për disa orë. Kontrollojini herë pas here deri sa të jenë tharë, përpara se t’i transferoni në ngrirje.

Hapi 3

Vendoseni letrën e pjekjës në një sipërfaqe të sheshtë në ngrirje dhe lërini frutat të qëndrojnë gjatë gjithë natës. Sigurohuni që kanë ngrirë mjaftueshëm

Hapi 4

Të nesërmen, hiqni kokrrat nga letra e pjekjes dhe hidhini në një qese ose enë të përshtatshme për ngrirje. Mbyllini dhe izolojini mirë dhe lërini të qëndrojnë aty për konsum të mëvonshëm.

Këshilla

• Larja e frutave përpara ngrirjes nuk është e domosdoshme, por sigurohuni që kur t’i shkrini për përdorim, t’i lani mirë.
• Gjatë mbushjes së qeses ose kavanozit me fruta të ngrira, sigurohuni që keni lënë hapësirë të mjaftueshme nga 5-10 centimetra nga gryka e kavanozit ose qeses.
• Pasi të kenë ngrirë, jetëgjatësia e frutave është nga 10 deri në 12 muaj.
• Për shkrirjen, mund t’i hiqni nga ngrirja dhe t’i vendosni në frigorifer në katet e poshtme, ose t’i shpëlani me ujë të bollshëm të ftohtë./AgroWeb.org