Kabunia, është një ëmbëlsirë shumë e shijshme, me aromë paksa mistike. Është një nga recetat që jo vetëm i ka rezistuar shekujve por me kalimin e kohës është lartësuar edhe më shumë për shijen autentike të saj. Në Shqipëri, Kabunia njihet si traditë e kuzhinës beratase, megjithëse ende nuk dihet ekzaktësisht origjina e saj.

Receta e Kabunisë njihet gjerësisht edhe në kuzhinën orientale. Sipas të dhënave të AgroWeb.org mësohet se Kabunia ka qenë ëmbëlsira e preferuar e sulltanëve, të cilët e konsumonin rregullisht atë, jo vetëm për shijen e mrekullueshme por edhe për të fituar energji dhe forcë.

Në Shqipëri, Kabunia njihet si traditë e Beratit. Amvisat e këtij qyteti e përdorin kabuninë si gostinë më mikpritëse në shtëpitë e tyre. Nxjerrja e kabunisë në tryezën e miqve është shenjë e fortë e shprehjes së mirëseardhjes, respektit dhe dashurisë për të ftuarit.

Oriz më rrush të thatë, bajame, karafila e kanellë, mjaftojnë këta përbërës për të të ngacmuar fantazitë e shijes dhe dëshirën për të shijuar këtë ëmbëlsirë të vjetër po aq sa edhe rrugicat e shtëpizat karakteristike të këtij qyteti.

Receta që AgroWeb.org sjell sot tregon se si krejt lehtë kjo ëmbëlsirë që ka “magjepsur” edhe sulltanët mund të përgatitet në shtëpi për t’u shijuar me familjen, me miqtë e të ftuarit.

Përbërësit

500 gr oriz

1 litër lëng mishi dashi (ose ujë)

200 gr sheqer

150 gr rrush të thatë

100 gr gjalp

1 lugë vaj ulliri

Disa fara karafili

Pak kripë

Pak kanellë

Përgatitja e Kabunisë

Në një tenxhere hedhim vajin e ullirit bashkë me gjalpin. Pasi gjalpi shkrihet hedhim orizin dhe e përziejmë për pak minuta derisa orizi të përthithë plotësisht masën e gjalpit të shkrirë. Më pas hedhim me ngadalë ujin e valuar, pak kripë dhe disa fara karafili.

E lemë masën të ziejë të mbuluar me kapak në zjarr të ngadaltë.


Për të përftuar ngjyrën e praruar të artë të Kabunisë, përgatisim karamelin duke skuqur 2 lugë sheqer me pak vaj ulliri. Pasi është skuqur sheqeri, e shtojmë te kabunia gjatë zierjes.

Në momentin kur uji shteron dhe orizi nis të nxjerrë disa bulëza në sipërfaqe e heqim nga zjarri. Tenxheren e mbulojmë me një pecetë të pastër duke i vendosur kapakun sipër për 15 minuta në mënyrë që të zbutet orizi.

Më pas, orizin e hedhim në një tavë qelqi ku hedhim sipër rrushin e thatë dhe disa fara karafilash. E lemë përsëri 10 minuta dhe më pas i hedhim sheqerin. E përziejmë derisa sheqeri të tretet dhe pastaj e hedhim në pjata. Për t'i shtuar shije, sipër i hedhim kanellë dhe Kabunia e famshme e Beratit është gati për tryezën tuaj. /AgroWeb.org