Tradita shqiptare e gatimit është e pasur me shije e aroma të dashura, ndonjëherë mistike, pas të cilave shumëkush që i ka provuar, ka mbetur i magjepsur.
Mes mjeshtërisë së recetave në kuzhinën shqiptare padyshim tradita unike e lakrorit të fshatit është më tërheqësja e shijes jo vetëm për shqiptarët por më së shumti për turistët e huaj, të cilët lënë mendjen pas tij.
Lakrori njihet si traditë e Korçës dhe zonave përreth saj, tradita e do që ai të piqet në saç, një mënyrë tipike e moçme shqiptare e pjekjes së lakrorëve, byrekëve apo tavave të ndryshme me perime në prush. Falë prushit dhe nxehtësisë së tij të avashtë, tepsitë me gatimet e pjekura marrin një shije të veçantë.
Lakrorët mund të kombinohen me një larmi produktesh, lakrorë me djathtë e qumësht, me qepë e domate, me spinaq apo me presh por lakrori i fshatit me lakra të egra është më i mrekullueshmi i të gjithëve, jo vetëm për shijen unike që ka, por pa dyshim për vlerat e larta ushqyese që mbartin lakrat e egra me të cilat përgatitet.
AgroWeb.org sjell sot recetën e Lakrorit të Fshatit, krejt lehtë për t'u përgatitur vetë në shtëpi.

Përbërësit:
200 gr Spinaq
200 gr Pazi
200 gr Lëpjetë
200 gr Labot
200 gr Hithra
500 gr Miell
250 ml Ujë
10 gr Kripë
200 gr Djathë i thërrmuar
Vaj Ulliri
Gjalpë
Sodë Buke
1 Qepë

Përgatitja e Lakrorit të Fshatit në Shtëpi

Si fillim, përgatisim brumin, duke hedhur në një tas të madh miellin. Pasi bëjmë një gropë në mesin e miellit hedhim kripën, sodën dhe i përzjejmë me dorë ndërsa nisim të shtojmë ujë të vakët derisa brumi të krijohet në një masë të butë dhe të përshtatshme për t’u hapur në formën e petës.
Brumin e përftuar e mbulojmë me një pecetë të pastër dhe e lëmë përreth gjysmë ore që të fryhet ndërsa nisim përgatitjen e lakrave të egra.
Si fillim qepën e grirë hollë e hedhim në një tigan të madh ku e skuqim me 4 lugë vaj ulliri derisa volumi i qepës të ulet dhe të marrë një ngjyrë të artë.
Më pas, hedhim lakrat, të cilat më parë i kemi pastruar dhe i kemi zjerë me një valë. Kaurdisim qepët me lakrat e egra derisa të njëtrajtësohen e më pas hedhim djathin e thërrmuar dhe pak kripë.
I përzjejmë për dy minuta. Për të përftuar një masë pak të trashë të gjellës me të cilën do përgatisim lakrorin, në një gotë të vogël mund të hedhim një lugë miell dhe ta tretim me dy lugë kos. Këtë masë, më pas e shtojmë tek lakrat e egra dhe përzjejmë masën. Të njëjtën gjë mund të bëjmë edhe me qumësht në vend të kosit.
Pasi e përgatisim gjellën me lakrat e egra, e lëmë të ftohet. Gjatë kësaj kohe brumi është gati për t'u punuar. Brumin e ndajmë në dy pjesë, ku pjesa e sipërme duhet të jetë më e vogël se e poshtmja.
Pasi hapim petën e poshtme e shtrojmë në tepsi, të cilën e kemi lyer njëtrajtësisht me vaj ulliri, hedhim mbushjen me lakrat e egra në të gjithë petën që kemi shtruar më parë.
Ndërkohë, hapim petën e dytë më të madhe dhe e vendosim sipër duke i kthyer pak anët. Në mungesë të saçit tradicional, fare mirë lakrorin mund t’a pjekim në furrë në 180 gradë për 20-30 minuta deri sa të marrë pjekjen e duhur. Në fund të përgatitjes, pasi lakrori është pjekur e nxjerrim nga furra dhe e lyejmë me një lugë gjalpë fshati./AgroWeb.org