Vjosa në jug të Shqipërisë është një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës. Ky lumë është thelbësor për vazhdimësinë e mijëra gjallesave të ndryshme. Megjithatë, vala e fundit ballkanase për ndërtimin e hidrocentraleve përbën një kërcënim të madh për të gjithë luginën.

Në brigjet e Vjosës jehon një melodi e çuditshme, sa paqësore po aq kaotike. Gurgëllima e ujit kërcen me tringëllimat e zilkave të dhive. Kjo melodi plotësohet nga blegërimat jo vetëm të gjedhëve por edhe të Kadriut, bariut të zonës.

"Ai po përpiqet t’i bëjë dhitë të këndojnë!" thotë me të qeshur Eduarti, një bari tjetër që sjell kopenë e tij në këtë zonë çdo ditë. Për sa kohë mbajnë mend, banorët e zonës shprehen se era ka transportuar këtë kakofoni relaksuese nga një breg të lumit në tjetrin duke krijuar një oaz tingujsh.

Kadriu dhe Eduarti kanë lindur në Kutë, një katund disa-shekullor i strukur në kodrat e luginës së Vjosës. Shumica e banorëve të Kutës dhe fshatrave përreth lumit janë fermerë të cilët e sigurojnë jetesën me të mbjellat dhe kopetë e tyre. Prodhimet e përfituara i shesin në treg, por kësaj mënyre të lashtë jetese mund të jetë duke i ardhur fundi.

Zogjtë flamingo dhe ngjalat

Dy hidrocentralë të mëdhenj janë planifikuar të ndërtohen në qytezat e Kalivaçit dhe Poçemit. Nëse plani për ndërtimin e tyre realizohet, atëherë hidrocentralët do të përmbysin mijëra hektarë kullota dhe toka, duke detyruar qindra familje të braktisin shtëpitë e tyre.

"Jam i frikësuar sepse nuk di të bëj asgjë tjetër përveçse të kujdesem për dhitë " Kadriu tha në një intervistë për DË. "Hidrocentrali do të ndryshojë jetët tona dhe gjithçka tjetër," shtoi ai.

Këto projekte hidroenergjitike do shkatërrojnë lumin e fundit të egër të Evropës, jashtë Arktikut. Lumi i Vjosës rrjedh përgjatë 270 kilometrave nga malet e veriut të Greqisë, përgjatë grykave të larta të jugut të Shqipërisë dhe deri në detin Jon.

Vjosa është e stolisur me kanjonë, ishuj të vegjël dhe gjarpërime që justifikojnë emërtimin si ‘zemra blu e Evropës.’

Vjosa është një burim thelbësor ujor për bujqësinë e zonës. Ajo është një zonë e nxehtë sa i përket biodiversitetit dhe strehon flamingot qafëgjatë dhe ngjalat e famshme të Evropës.

Shkencëtarët janë të mendimit dhe Vjosa është shtëpia e shumë specieve të tjera në zhdukje. Ndonëse një studim i mirëfilltë biologjik mbi larmishmërinë e gjallesave të Vjosës nuk është bërë kurrë, shkencëtarët do ta kishin të pamundur të studionin habitatin natyral të tyre nëse këto hidrocentrale do të ndërtoheshin.

Ethet e hidrocentraleve

Rreth 2,700 hidrocentrale planifikohen të ndërtohen ose po ndërtohen në të gjithë Ballkanin. Një raport i Dhjetorit 2015 i kryer nga Bankwatch tregoi se gjysma e këtyre projekteve ndodhen në zona të mbrojtura natyrore.

Grupi mjedisor EcoAlbania ka identifikuar 45 projekte hidroenergjitike përgjatë Vjosës, të cilat do të transformonin zona të shumta të lumit në kaskada të mirëfillta, duke prishur ekosistemet dhe detyruar largimin e mijëra njerëzve.

Shumë prej këtyre projekeve datojnë që në fillim të valës së koncesioneve për hidrocentralët e vegjël që nisi në fillim të viteve 2000, pjesërisht si rezultat i interesit Evropian për energjinë e rinovueshme.

Pipa Gallop e Bankwatch u shpreh se kjo valë koncesiones "përbënte një mundësi të re për marrëveshje të dyshimta, spekulime dhe nepotizëm nga ana e elitave vendase duke qenë se tarifat konsumatore garantojnë të ardhura për hidrocentralet e vegjël."

Shqipëria dhe Bosnje Hercegovina kanë dhënë një numër të lartë lejesh koncesionare rreth viteve 2006 dhe 2009. I gjithë rajoni është ndotur nga korrupsioni. Ndërkohë që Bashkimi Evropian ka përditësuar rregullat për mbështetje financiare për energjinë e rinovueshme, Ballkani Perëndimor nuk ka bërë progres në reformat mbi këtë çështje.

Në këtë situatë, Fondet Perëndimore Evropiane, përfshirë Bankat Ndërkombëtare për Zhvillim po shfrytëzojnë situatën duke futur në portofolet e tyre të shërbimit çështjen e energjisë së rinovueshme dhe duke treguar angazhim për tranzicionin drejt energjisë së gjelbër.

Një proçes historik gjyqësor

Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i EcoAlbania, shprehet se vendet e pasura Evropiane po shfrytëzojnë standarded ekologjike në "vendet me një kornizë të dobët ligjore, demokraci të dobët dhe korrupsion të lartë."

Hidrocentralet konsiderohen si një alternativë e lirë ndaj energjisë diellore dhe asaj të erës. Por Nika thotë se kostot mjedisore nuk përfshihen në këtë përllogaritje. 

"Hidrocentrali ka të bëjë me energji të rinovueshme por jo të gjelbër," tha ai për Deutsche Welle. "Mënyra se si po bëhen gjërat, veçanërisht në Ballkan, janë jo miqësore me mjedisin."

Organizatat e shoqërisë civile kanë arritur pak sukses në kundërshtimin e këtyre projekteve në zona të mbrojtura. Majin e shkuar, gjykata shqyrtoi çështjen e parë gjyqësore në lidhje me mjedisin në vend dhe vendosi të hedhë poshtë planin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit.

Por kjo betejë sapo ka nisur. Ministria e Energjise e apeloi vendimin dhe pak javë më vonë, lajmëroi një thirrje të re për investitorët e interesuar në ndërtimin e një dige të re në Kalivaç.

Mrekullia 270 kilometra e gjatë Vjosës, e shtrirë nga malet e Pindit në Greqi në Detin Adriatik, rrezikohet nga ndërtimi i një dige 25 metra të gjatë që pa dyshim do të shkatërrojë një nga pjesët ekologjikisht më të vlefshme të lumit./AgroWeb.org