Edhe pse ne jemi në mes të verës, gripi godet fort në Shqipëri. "Shenjat që e dallojnë gripin e verës, qoftë me natyrë bakteriale apo virale, janë temperatura, oreksi i dobët, lodhje dhe kollë e thatë", shpjegon për AgroWeb.org, mjekja pediatre Zamira Sheshi.

Po flasim sidomos për rastet e fëmijëve që kanë mbushur sallat e trajtimit në poliklinikat dhe qenrat shëndetësore të vendit dhe që paraqesin simptoma si ethe, dhembje të forta fyti, dhe ftohje.

Mungesa e oreksit dhe dehidratimi janë nga tiparet kryesore që tregon mjekja pediatre për AgroWeb.org dhe që sjell aplikimin e serumeve për pacientët e vegjël që i gjen rëndom në numër të madh në mjediset shëndetësore të Shqipërisë këtë fund gushti.

Një buletin lufte raportohet nga qendrat shëndetësore të vendit, situatë kjo e ngjashme me atë të muajve të dimrit, kur përhapjet e gripit janë më akute. Në rrezik për t'u prekur janë kryesisht të moshuarit dhe fëmijët, si gjithmonë.

Në moshat mbi 65 vjeç viruset mund të përkeqësojnë sëmundjet kronike dhe sjellin trafik të shtuar në urgjencat shëndetësore. Por repartet pediatrike po raportojnë një numër edhe më të madh, ndryshe nga shifrat e disa muajve më parë.

Shkaqet e këtyre ftohjeve "jashtë sezonit" janë sipas mjekëve, kushtet klimatike. Temperaturat e javëve të fundit të kombinuara me lagështi të lartë kanë krijuar habitat perfekt për mikrobeve dhe viruseve.

Fëmijët gjithashtu vuajnë nga komplikime të prekjes nga sëmundjet e frymëmarrjes si pneumonia, por edhe ato të aparatit tretës si diarre' dhe shqetësime gastrointestinale. Më të prekur janë veçanërisht të vegjëlit nën njëzet e katër muaj.

Gjeni këtu tre rregulla kryesore për të ruajtur shëndetin:

1. Ndryshimet në temperaturë janë mashtrim i vërtetë. Kujdes nga rrymat e ajrit, veçanërisht në vapën e ditës dhe mos harroni se temperatura e saktë e mjediseve të brendshme duhet të jetë 4-5 gradë më e ulët se jashtë.

2. Shmangni ndenjen e gjatë në mjedise të mbyllura, sepse kjo dobëson sistemin e përgjithshëm dhe lokal imunitar dhe parandalon sistemin e pastrimit të ajrit nëpër hundë, trake dhe bronke.

3. Kushtojini vëmendje lëvizjeve që përfshijnë ndryshimin e klimës, ndryshimet e temperaturës janë nga shkaktarët kryesore të probleme verore me shëndetin./AgroWeb.org