Ka mollë Korçe por ka edhe kumbulla! Korça po shndërrohet me shpejtësi në një nga eksportueset më të forta jo vetëm të mollëve të saj me famë drejt tregjeve europiane dhe botërore, por edhe në eksportimin e kumbullave, ku dominon kumbulla e kultivuar në zonën e Zëmblakut.

Kumbullat e Zëmblakut janë kokërrmëdha në formë dhe njihen për shijen e tyre fantastike, jo më kot ato janë më të kërkuarat në tregun shqiptar dhe jo vetëm. Kamiona me tonelata kumbullash të prodhuara në Korçë dhe rrethinat e saj po kapërcejnë kufijtë e Shqipërisë me destinacion tregjet europiane.

Megjithëse Korça njihet për kultivimin masiv të mollëve, plantancione të tëra me kumbulla mbizotërojnë sipërfaqe të tëra tokash në pothuajse të gjithë zonën juglindore të vendit. Falë freskisë së tyre, shijes fantastike dhe rritjes në kushte krejt optimale në natyrë, kumbullat e Zëmblakut po marrin shpejt të njëjtën famë, ashtu si edhe mollët me nam korçare.

Prodhues të kumbullës së Zëmblakut në Korçë thanë për AgroWeb.org se këtë vit, si asnjëherë më parë prodhimet e tyre kanë njohur një shitje të jashtëzakonshme tek sipërmarrjet që merren me eksportin e frutave. Ata deklarojnë se krahas interesit për eskportin e mollëve, interesi i tregtarëve europianë për të futur në tregjet e tyre kumbullat e Zëmblakut është po aq i lartë. Sipas tyre kjo ndodh për shkak të tërheqjes së fuqisë blerëse, ku konsumatorët europianë i kanë shndërruar kumbullat shqiptare ndër frutat e preferuara të tyre.

Eksportuesit korçarë pohojnë për AgroWeb.org se kumbullat shqiptare vlerësohen si më cilësoret në tregjet e shteteve europiane. Para se të hyjnë në tregjet përkatëse ato i nënshtrohen analizave të hollësishme laboratorike, nga ku kanë rezultuar të cilësisë së lartë, në përputhje me normat e vendosura nga Bashkimi Europian.

Kryeson Kërkesa e Tregut Çek

Çekia dhe Polonia, janë dy shtetet prej nga vijnë më shumë turistë të huaj drejt Shipërisë, por së fundmi këto dy shtetet krahas vlerësimit të potencialeve turistike po shprehin një interes gjithnjë e në rritje për kumbullat shqiptare.

Prodhues të kumbullës së Zëmblakut në Korçë konfirmojnë për AgroWeb.org se kërkesa më e lartë për këto fruta vjen nga Çekia dhe Polonia. Kërkesa për furnizimin me kumbulla është pothuajse e përdtishme. Kështu, krahas furnizimit me fruta të tjera të stinës, ashtu si mollët edhe kumbullat janë në produktet me sasi më të lartë eksporti.

Korça zë vendin e parë në shkallë vendi për numrin më të madh të pemëve frutore, pasi niveli i prodhimit të pemëve në këtë qark arrin mbi 70 mijë ton në vit.

Këtë vit, Korça cilësohet si qarku rekord në eksportimin e frutave drejt Europës e më gjerë. Së fundmi, duket se të njëjtin rrugëtim të suksesshëm të mollëve korçare po e gëzojnë edhe Kumbullat unike të Zëmblakut./AgroWeb.org