Pupëza ose Rudbekia është një lule në dukje e zakonshme, por në të vërtetë ka efekte shumë të fuqishme. Shkencëtarët dhe studiuesit botërorë e rendisin këtë bimë si një nga antibiotikët më të fortë natyralë.

Pupëza ndihmon në mbrojtjen e shëndetit dhe përshpejton shërimin nga disa shqetësime shëndetësore. Ajo përdoret gjerësisht në botë për të trajtuar gripin dhe të ftohtit, bajamet, sindromën e lodhjes kronike, migrenën, reumatizmën, infeksionet e gjakut dhe infeksione të tjera bakteriale.

Shkencëtarët e Fakultetit të Farmacisë të Universitetit të Konektikatit në SHBA kanë kryer mjaft studime në lidhje me ndikimin e pupëzës në shmangien e ftohjeve dhe gripit.

Ata arritën në konkluzionin se pupëza ul rrezikun e ftohjeve me 58% tek njerëzit. Ata zbuluan gjithashtu se kjo bimë mjekësore zvogëlon kohëzgjatjen e sëmundjeve gripale me një ditë e gjysmë.

Lulet, gjethet dhe rrënjët e kësaj bime janë pjesë e disa kurave të fuqishme natyrale. Në Shqipëri, pupëza ose rudbekia me emërtimin botanik echinacea purpurea, bën pjesë në listën e bimëve mjekësore që mblidhen për llogari të pikave të grumbullimit të bimëve të egra në natyrë dhe pjesa më e madhe dërgohet për eksport, por gjenden edhe në farmacitë bimore dhe ato të zakonshme.

Lulet e saj ngjyrë vjollcë ose rozë, kanë fara majoshe në ngjyrë kafe të errët dhe të kuqe. Pupëza, sipas kërkimeve të AgroWeb.org, përmban fenolë, që luajnë rolin e fuqishëm të antioksidantëve që janë të rëndësishëm për mirëqenien e organizmit.

Si të përgatisni tretësirën e pupëzës

Nëse dëshironi të përgatisni tretësirën e pupëzës me alkool ju nevojiten: Kavanoz qelqi Alkol i pastër (80%); Gjysmë filxhani me gjethe të thara pupëze (ose një përzierje të rrënjëve dhe gjetheve).

Udhëzimet. Mbusheni gjysmën e kavanozit me lule dhe gjethe pupëze të thara. Hidhni sipër gjetheve disa lugë gjelle me ujë të nxehtë. Pjesën tjetër të kavanozit mbusheni me alkool dhe përziejeni me një lugë të pastër. Mbyllni kapakun dhe kavanozin vendoseni në një vend të freskët dhe të thatë dhe herë pas here tundeni kavanozin.

Pas gjashtë javësh, kullojeni me një napë të pastër. Tretësirën ruajeni në një enë tjetër qelqi me ngjyrë të errët. Për të rriturit nevojiten 10 pika në mënyrë që të forcojnë imunitetin gjatë dimrit, ndërsa për fëmijët mbi moshën 4 vjeç vlen gjysma e dozës.

Ju mund të përgatisni gjithashtu edhe çaj pupëze me lulet dhe gjethet e thara. Dy lugë çaji me pupëz për një filxhan çaji mund të konsumohet 2-3 herë në ditë sapo shfaqen shenjat e para të ftohjes apo gripit./AgroWeb.org